Eugert Zhupa, fluturim mbi 2 rrota

04/12/2016 00:00

Skandiano është një qytezë e vogël në verilindje të Italisë, por këtu ka shumë që betohen nën emrin e një shqiptari. Çiklizmi për këtë zonë të Emilia Romanjas është një fe e vërtetë dhe beniamini i qytezës është hiç më pak por sportisti Eugert Zhupa.

Kampioni i çiklizmit është vlerësuar për arritjet e tij fantastike dhe ngjitjen e shpejtë në kategorinë e dyrrotakëve dhe meritoi nderin e komunës, përveçse mirënjohjen e Federatës Shqiptare të Çiklizmit.

“Eugerti ka marrë pjesë dy vite radhazi në Xhiron e Italisë, ka fituar kampionatin ballkanik, është kampion kombëtar i Shqipërisë, ka marrë pjesë në shumë aktivitete të ndryshme duke filluar që në Spanjë, Kinë, Itali, Gjermani, Belgjikë dhe në shumë vende të tjera. Është një nga sportistët më në zë dhe është e ardhmja e Shqipërisë. Ka punuar në mënyrë të shkëlqyer. Ka bërë disa shkëputje në Xhiron e Italisë siç është parë nga ne dhe shumë fansa të tij dhe falë kësaj grinte ka arritur deri këtu”, u shpreh presidenti FSHÇ, Skënder Anxhaku.

Eugert Zhupa ka qenë jo pak herë në radarin e komisarëve të kombëtares italiane, por asnjëherë djaloshi 26-vjeçar nuk e ka vënë në diskutim flamurin. Thirrja e origjinës për çiklistin kampion të Shqipërisë, është më e fortë se joshja e milionave apo prestigji.

“Federata italiane më ofroi të garoj për kombëtaren e tyre, por unë dua të promovoj Shqipërinë në çiklizëm. Dua që edhe njerëzit në Shqipëri ta kuptojnë që nuk është vetëm futbolli, por kemi edhe çiklizmin, atletikën që janë sporte të bukura edhe këto. Dua që shqiptarët të jenë krenarë me mua”, thotë Zhupa.

Çiklisti provoi në fillim Christina Team, e më pas kaloi te Southeast PCT, e Villiers. Tratativat e pafat dhe ndoshta egoja e tepruar e menaxherëve i mohuan një kërcim gjigant si Trekk Team, por jo ambicien për të fituar.

“Për të arritur këtu ku jam kam derdhur shumë djersë, shumë orë stërvitje dhe shumë sakrifica. Familja dhe e dashura nuk më kanë ndonjëherë në shtëpi, gjatë gjithë kohës stërvitje, por jam i lumtur me këtë që kam arritur”, vijoi çiklisti.

Dy personazhe të njohur e kanë vënë re talentin e Zhupës që në kilometrat e parë në biçikletë, trajneri Primo Borgi dhe gazetari Romano Pezzo.

“Zhupën e kam stërvitor që në ekipet e të rinjve në Rexhio Emilia dhe e kisha vërejtur talentin e tij. Me ne ka fituar si gara në kronometër ashtu dhe në ngjitje. Është një njeri që bën skuadër dhe ka fituar 7 gara vetëm në vitin 2016, pra është shumë i fortë. Viti 2017 mendoj se do të jetë i duhuri për hapin e madh në karrierë edhe pse do të varet nga skuadra se cfarë do ti rezervojë. Unë shpresoj që ti japin vendin e protagonistit pasi numrat për të shkëlqyer i ka”, deklaroi Borgi.

“Kam pritur gjithmonë që Zhupa të vinte deri në këto rezultate pasi e kam ndjekur që kur ishte fëmijë dhe kur debutoi. Pashë tek Eugertio, klasin e tij të lindur dhe fuqinë, madje më kujtohet si tani gara e parë që fitoi që në vitin e dytë. U përlot në podium ndërsa të njëjtën gjë bënte dhe mamaja mes tifozëve. Tashmë e shikoj që Zhupa është i aftë të rivalizojë me të parët e klasës, me kampionët e vërtetë. I duhet vetëm pak më shumë grintë në cirkuit”, shprehet Pezzo.

Tifozi i tij më i madh është babai, dhe në çdo garë ai është prezent për të ndjekur fluturimin e Zhupës mbi dy rrota. Nëse fati i ka mohuar më parë suksesin kampionit shqiptar në Xhiron e Katarit, të Fiandrave apo të Italisë, 2017 mund t’i rezervojë poshtë pemës së Vitit të Ri, një kontratë që do ta bëjë të arrijë dhe ambiciet në çiklizëm.

Top Channel