Fabregas-Fernandinho, agresiviteti që pritet të çojë në pezullim

04/12/2016 00:00

Nervozizmi i tepruar në fushën e lojës duket se do t’iu kushtojë dy prej lojtarëve më të mirë të Chelseat dhe Manchester Cityt, pas përplasjes që ata patën në sfidën e zhvilluar të shtunën, në një sfidë të drejtpërdrejtë për titullin.

Fernandinho pritet të marrë një pezullim të gjatë nga Komisioni i Disiplinës së Federatës së Futbollit (FA), pasi shtyu spanjollin Cesk Fabregas mbi tabelat e reklamave në “Etihad Stadium”, ndërsa grindja vazhdoi edhe drejt tunelit.

Mesfushori i Manchester Cityt nuk do ta shmangë dot dënimin për të paktën 3 ndeshje, që mund të shtohet, nëse Federata e Futbollit do të vendosë të luajë ashpër dhe ta ngarkojë dhe me akuzat për agresion.

Joey Barton u dënua me 12 ndeshje dhe u gjobit nga FA, pas akuzave për agresion në vitin 2012 ndaj Carlos Tevezit. Fernandinho mund të mungojë në ndeshjet ndaj kampionëve të Leicester Cityt dhe ndaj rivalëve për titullin, Arsenal dhe Liverpool.

Por duket se nga përplasja fizike do të dënohet edhe Fabregas, pasi gjatë ndeshjes ai ka goditur brazilianin, moment i kapur në pamjet filmike.

Top Channel