Pas fitores me Atalantën, Allegri: Mjaft me kritikat ndaj Juves

04/12/2016 00:00

Suksesi i merituar kundër Atalantës e ka detyruar trajnerin Masimiliano Allegri t’i kujtojë ekipit se rëndësi kanë vetëm pikët dhe loja, e jo kritikat shpeshherë të padrejta ndaj kampionëve të Italisë.

Tekniku i “Zonjës së vjetër” renditi një sërë problemesh artificiale të krijuara në javët e fundit, që sipas tij, kryesuesja e Serisë A nuk i meriton.

“Te Juventusi, çdo 3 ditë duhet të gjendet patjetër një problem. Në fillim na thonin se luajmë keq, e që pas ndeshjes ndaj Genoas qëndruam në heshtje, edhe pse ishim të parët. Tani po quajnë Higuainin një problem. Por në futboll vlejnë vetëm rezultatet”, tha trajneri i kampionëve të Italisë.

Disfata në stadiumin Marassi nuk e penalizoi ringritjen e Juventusit, ashtu siç kishte shpresuar Masimiliano Allegri. “Kur humbet është normale të reagosh në sfidën pasardhëse, e ndaj Atalantës bëmë një lojë të mirë, edhe pse nuk ishte e lehtë”, tha Allegri, që më pas u ndal edhe në një lojtar në veçanti.

“Roli i regjisorit në formacionin tonë i takon mesfushës dhe Pjaniç e bëri jashtëzakonisht mirë këtë. Ai ishte i rëndësishëm edhe në goditjet me top të ndalur, me anë të të cilave shënuam dhe dy gola”, tha trajneri i Juves.

Top Channel