Kuba, zhvillohen homazhet e fundit për Fidel Castron në Santiago

04/12/2016 00:00

Presidenti i Kubës, Raul Castro udhëhoqi homazhet e fundit për vëllain e tij Fidel, gjatë një ceremonie publike në qytetin Santiago.

Dhjetëra mijëra kubanë morën pjesë në ceremoni, si dhe udhëheqës të tjerë botërorë. Raul Castro u zotua se do të nderojë parimet socialiste dhe qëllimet e revolucionit që solli vëllai i tij, Fidel, i cili ndërroi jetë më 25 nëntor në moshën 90-vjeçare.

Ai deklaroi gjithashtu se Kuba nuk do të lejojë që emri i Fidelit t’iu vendoset rrugëve apo monumenteve, pasi kështu kishte kërkuar vet kreu historik.

“Udhëheqësi i revolucionit kundërshtoi fuqishëm çdo manifestim të kultit të personalitet”, deklaroi Raul, i cili shtoi gjithashtu se në Kubë nuk do të ngrihet asnjë statujë apo bust i Fidel Castros.

Urna me hirin e këtij të fundit do të varroset në Santiago, qytet që njihet si vendlindja e revolucionit. Hiri i Castros mbërriti aty të shtunën, pas një udhëtimi 4-ditor përmes vendit. Varrimi do të bëhet në varrezën “Ifihenia”, ku gjenden edhe eshtrat e heroi kuban të pavarësisë, Jose Marti.

Ndërsa shumë njerëz thonë se Fidel Castro ia ktheu Kubën popullit, kritikët e tij mendojnë se ai ishte një diktator që nuk toleronte asnjë kundërshtim ndaj regjimit të tij.

Top Channel