Siri, ushtria avancon në Alepo; banorët, në kushte të mjerueshme

03/12/2016 00:00

Forcat e regjimit sirian janë gjithnjë e më pranë çlirimit të Alepos. Gati dy të tretat e qytetit të copëtuar nga lufta është tani në duart e qeverisë, pasi kjo e fundit mori nën kontroll distriktin e Tarik al Bab të premten, duke hapur një rruge të re mes zonave në duart e qeverisë dhe aeroportit të Alepos.

Sipas Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, me bazë në Londër, distrikti kishte qenë në duart e rebelëve për më shumë se 4 vjet. Përleshjet në këtë distrikt i kushtuan jetën ose lanë të plagosur dhjetëra luftëtare nga të dyja palët.

Të paktën 250 mijë vetë janë të bllokuar në zonat e rrethuara në lindje të qytetit, nga ku janë shpërngulur mijëra vetë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi këtë javë se kushtet në lindje të Alepos ishin aq të tmerrshme sa ndërhyrjet mjekësore po kryheshin pa anestezi.

Të paktën 300 vetë janë vrarë që prej intensifikimit të ofensivës qeveritare në mesin e muajit nëntor e sipas shefit të OKB-së për çështjet humanitare, Stephen O’brien, zonat e rrethuara të qytetit rrezikonin të ktheheshin në një varr masiv. Ai parlajmëron se banorët në pjesët e kontrolluara nga opozita po vdisnin urie.

Të enjten Rusia, që mbështet qeverinë e Bashar al Assad, sinjalizoi se ishte e gatshme të diskutonte hapjen e korridoreve humanitare.

Top Channel