“Flirti” Trump-Tajvan, Kina: Veprim i papërfillshëm

03/12/2016 00:00

Ashtu siç pritej, Kinës nuk i ka pëlqyer aspak biseda telefonike që presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump zhvilloi me presidenten tajvaneze.

Ministria e Jashtme në Pekin deklaroi se i kishte përcjellë një notë proteste Shteteve të Bashkuara, ndërsa sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Xinhua”, Kina i bënte thirrje Uashingtonit për të trajtuar me kujdes çështjen e Tajvanit, në mënyrë që të shmangej trazimi i panevojshëm i marrëdhënieve dypalëshe.

E megjithatë, ministri i Jashtem kinez Wang Yi u shpreh i sigurtë se ai “veprim i papërfillshëm” nga ana e Tajvanit nuk do të ndryshonte politikën shumëvjeçare të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar kundrejt Kinës.

“Angazhimi i palës tajvaneze në një veprim të papërfillshëm nuk mund të ndryshojë strukturën e ‘një Kine të vetme’’, deklaroi Wang Yi.

Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij e rrjedhimisht një shtet të paligjshëm, ku në 1949-n u strehua qeveria e Republikës së Kinës e përmbysur nga Partia Komuniste e Mao Tse Tung.

Për të konsoliduar raportet me Kinën, në 1979-n, nën presidencën e Jimmy Carter, Shtetet e Bashkuara i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me ishullin.

Por ujërat u kujdes t’i trazonte presidenti i zgjedhur Donald Trump, që përmes një postimi në rrjetin social Twitter njoftoi se presidentja tajvaneze Tsai Ing-wen e kishte telefonuar për ta uruar për fitoren, e të njëjtën gjë kishte bërë biznesmeni, duke e përgëzuar për marrjen e presidencës janarin e kaluar. Asnjë udhëheqës amerikan nuk ka folur drejtëpërdrejtë me ndonjë lider tajvanez për dekada me radhë.

Top Channel