“El Clasico”, Sergio Ramos befason Barcelonën, barazon në të 90’

03/12/2016 00:00

E ndërsa dukej se Barcelona do të dilte fituese nga “Camp Nou” duke mposhtur rivalët e përjetshëm, mbrojtësi i Real Madrid ka barazuar shifrat në minutën e 90’.

Nuk ka fitues në “El Clasico-n” e parë të këtij sezoni mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Në “Camp Nou” dy gjigandët e La Ligës morën nga 1 pikë secila ppasi përballja mes tyre përfundoi në barazimin 1-1.

Protagonistë në këtë sfidë nuk ishin as Lionel Messi e as Cristiano Ronaldo, por Luis Suarez e Sergio Ramos.

Fillimi i takimit pa futbollistët e të dyja skuadrave të bashkuar për të mbajtur 1 minutë heshtje në nder të futbollistëve të Chapecoense që humbën jetën në një aksident ajror në Kolumbi, për t’ia lënë më pas vendin betejës sportive.

Në pjesën e parë, Barcelona kishte një përqindje më të lartë të zotërimit të topit, por rastet më të mira i krijoi Reali i Madridit. Cristiano Ronaldo tentoi në minutën e 37, por luzitani u ndal nga portieri Ter Stegen.

Pak minuta më vonë ishte Benzema që kërkoi të shënojë, por ndërhyri Pique që e dërgoi topin në goditje këndi. Në fillimin e pjesës së dytë Barcelona gjeti golin e avantazhit me Luis Suarez që shfrytëzoi mjaft mirë një krosim të Neymar nga një goditje dënimi.

Në minutën e 68 Barcelona për pak sa nuk shënoi golin e dytë me Neymar, por braziliani gaboi në tentativën e tij. Po kështu gabuan edhe Iniesta e Messi, ndërkohë që Reali i Madridit në minutën e 89 barazoi gjithçka, pikërisht me Sergio Ramos për të cilin është kthyer në një traditë shënimi i golave në çastet e fundit të ndeshjes.

Rezultati 1-1 lë më shumë të kënaqur skuadrën e Realit të Madridit pasi ky barazim e lejon skuadrën merenges të ruajë diferencën prej 6 pikësh me rivalët katalanas.

Për t’u vlerësuar është edhe mrekullia e bërë nga Casemiro, i futur në pjesën e dytë në vend të Isco. Numri 14 i Realit në minutat shtesë të ndeshjes, largoi me kokë pranë vijës fatale një top që dukej se po përfundonte në rrjetë.

Top Channel