PD: Këshilltarët e djathtë, zëdhënës të qytetarëve

03/12/2016 00:00

Anëtarët e Partisë Demokratike në këshillat bashkiakë në mbarë vendin kanë zhvilluar këtë të shtunë në Kavajë takimin e fundit me ekspertë gjermanë, në kuadër të strategjisë së tyre për të qenë sa më afër qytetarëve.

Në këtë takim, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani kërkoi nga të zgjedhurit demokratë të jenë më afër interesave të qytetarëve dhe të kthehen në zëdhënës të jetës së tyre të përdishme.

“Ne do të vijmë në pushtet vetëm në bazë të parimeve, të njerëzve të punës, të vlerësimit të djersës, të drejtësisë dhe jo mbi hajdutërinë, shpërdorimin e parasë publike, por me parimet që ka ecur çdo komb në botë. Për ju si këshilltarë bashkiakë, që jeni si deputetët e bashkive dhe qyteteve tuaja, është një detyrë e madhe që ne të ngremë frymën e fitores së Partisë Demokratike dhe kjo bëhet me bazën e besimit. Besimi fitohet duke u treguar njerëzve shembullin e përgjegjshmërisë, shembullin e punës, shembullin e njerëzve të aftë, të atyre që punojnë dhe interesohen për hallet e vendit. Ne do vijmë duke i siguruar njerëzit se do të ringremë ekonominë shqiptare, se në pushtetin e Partisë Demokratike nuk do të ketë më qytetarë që do të vuajnë për bukë, për drita dhe për ujë, siç po vuajnë sot”, tha Ristani.

Diskutimet me këshilltarët bashkiakë evidentuan se reforma e re territoriale nuk arriti të përmbushte shumë prej qëllimeve që ajo synonte të arrinte, mes të cilave dhe efektshmëria e qeverisjes lokale me një numër më të vogël bashkish, më shumë shërbime cilësore dhe më pak shpenzime administrimi.

Top Channel