Tentativë grabitjeje në Paris, evakuohen 7 pengjet. Autori, në arrati

02/12/2016 00:00

Një agjenci udhëtimi ka rënë prè e një tentative grabitjeje gjatë pasdites së kësaj të premteje në Paris, aty ku një agresor i armatosur u raportua të kishte marrë 7 persona pengje, të cilët janë evakuuar më pas nga policia.

Ngjarja ka ndodhur në periferinë jugore të kryeqytetit francez, ndërkohë që forca të shumta policore, të armatosura, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Sipas dëshmitarëve në vendin e grabitjes, incidenti nuk ka lidhje me terrorizmin. Agjencia e udhëtimeve, e përdorur shpesh nga klientë aziatikë dhe që vepron me transaksione “cash”, ka rënë edhe herë të tjera prè e grabitjeve.

Një gazetar i pranishëm në vendngjarje tha përmes “Twitter”-it se agresori ishte i vetëm dhe nuk kishte bashkëpunëtorë, ndërsa pengjet janë marrë në biznesin e quajtur “Asieland”, në bulevardin “Massena”.

Policia ka krijuar perimetrin e sigurisë, duke bllokuar trafikun nëpër rrugët përreth saj, ndërsa banorët lokalë janë udhëzuar të qëndrojnë larg zhvillimeve. Menaxheri i agjencisë së udhëtimeve thuhet se ka njoftuar policinë për incidentin dhe më pas është larguar nga ndërtesa, raporton “BFMTV”, sipas së cilës thuhet se autori është në arrati.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel