Hamilton: Rosberg nuk më befasoi

02/12/2016 00:00

Lewis Hamilton deklaroi se nuk ishte aspak i befasuar nga vendimi i Nico Rosberg për t’u tërhequr nga Formula 1, por shtoi se do t’i mungojë rivaliteti i ashpër në Mercedes.

“Kjo është hera e parë që ai fiton në 18 vite, kjo është arsyeja pse nuk u befasova nga vendimi i tij për t’u tërhequr. Ai ka familje së cilës dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë, dëshiron më shumë fëmijë, dhe Formula 1 nuk ta lejon shumë këtë gjë. A do të më mungojë rivaliteti? Sigurisht”, tha Hamilton.

Piloti britanik dhe Rosberg kanë qenë shokë skuadre te Mercedes që nga viti 2013, por miqësia e tyre që ka rrënjët që kur ishin adoleshentë, kohët e fundit ishte lëkundur për shkak të ashpërsimit të luftës për titull.

Pavarësisht kësaj, Hamilton tha se Rosberg do t’i mungojë sportit në tërësi, por nuk e fshehu mërzinë që gjermani nuk i dha mundësinë e revanshit në Botërorin e 2017.

“Do të jetë shumë e çuditshme dhe e dhimbshme që nuk do ta kem shokë skuadre vitin e ardhshëm. Do t’i mungojë sportit dhe i uroj të gjitha të mirat. Revanshi? Është e turpshme që nuk më dha mundësinë për të luftuar sërish, por e respektoj vendimin e tij”, vijoi Hamilton.

Mercedes tani është në kërkim të një piloti tjetër për Botërorin e 2017-s dhe Hamilton nuk ka asnjë preferencë. “Nuk ka rëndësi kush do të vijë, do ta sfidoj sepse për këtë punë jam aty”, deklaroi piloti britanik për “Reuters”.

Top Channel