Referendumi i provës, Italia vendos të dielën për reformën kushtetuese

02/12/2016 00:00

Ditën e diel, nga ora 7 deri në orën 23, në Itali do të zhvillohen votimet për referendumin mbi disa reforma në Kushtetutë. Ndryshe nga referendumet e tjerë, ku parashikohet arritja e një kuorumi, në këtë rast rezultati ka vlerë, gjithsesi, edhe në rast se nuk voton shumica e atyre që kanë të drejtë vote.

Të rejat kryesore që parashikon reforma kushtetuese janë: ndryshimi i kompetencave dhe përbërjes së Senatit, i cili nga 320 anëtarë të zgjedhur drejtpërdrejt me votën e qytetarëve, do të kalojë në 100 anëtarë që do të jenë kryebashkiakë dhe këshilltarë komunalë.

Në rast se shumica e votave të së dielës do të jetë “PO”, një sërë kompetencash do të kalojnë nga rajonet te qeveria, e cila do të ketë në këtë rast edhe një mjet tjetër pushteti: të ashtuquajturën votë me datë të sigurtë. Për masat e rëndësishme, Dhoma e Deputetëve dhe Senati do të kenë vetëm 70 ditë kohë për të aprovuar ose hedhur poshtë një normë.

Por cilët janë skenarët e mundshëm pas ditës së diel?

Nëse shumica e votuesve shprehet pro, kryeministri aktual Matteo Renzi do të dalë më i fortë dhe do të mund të përballojë më mirë opozitën e “Lëvizjes 5 Yjet” dhe të forcave të djathta, si dhe do të arrijë në fund të legjislaturës që mbyllet në vitin 2018.

Skenari është më i ndërlikuar nëse nga votat del një “JO”. Në këtë rast, kryeministri – siç ka deklaruar, – mund të japë dorëheqjen dhe Presidenti i Republikës mund të mos e pranojë, por në këtë rast të kërkojë votën e Parlamentit, që mund të vendosë për një qeveri teknike. Por varianti më i mundshëm, sipas analistëve, mbetet një qeveri e re me në krye sërish Renzin.

Një gjë është e sigurtë. Si kurrë më parë, në vend nuk ka pasur një angazhim kaq të madh të politikës dhe medieve për një referendum, e megjithatë mbetet tepër e madhe përqindja e të pavendosurve. Te kjo kuotë prej 20-25% e votuesve duket se mbetet i varur fati i Kushtetutës italiane.

Top Channel