Enrique: Le të jemi edhe -100 pikë, rëndësi ka që luajmë në shtëpi

02/12/2016 00:00

Të luash “El Clasicon” në shtëpi është një gjë shumë e rëndësishme për trajnerin e Barcelonës, Luis Enrique, të cilit nuk i intereson hendeku që është krijuar mes madrilenëve që kryesojnë kampionatin dhe skuadrës e tij.

Blaugranat mirëpresin Los Blancos në “Camp Nou” të shtunën në një ndeshje që do të thotë shumë në garën për titull. Me një fitore, Barça i afrohet në tre pikë Realit, ndërsa me një humbje diferenca shkon në nëntë pikë.

“Nuk më interesojnë këto gjëra (diferenca në pikë), ne do të luajmë në shtëpi prandaj nuk ka aspak rëndësi edhe nëse jemi 100 pikë mbrapa Realit sepse kjo është një ndeshje e madhe dhe duam t’i kënaqim tifozët tanë”, tha Enrique.

Trajneri i katalanasve ka edhe një ide në kokë se si mund të luajë Reali të shtunën.

“Mendoj se do të kemi përballë të njëjtin Real që kur drejtimin e mori Zidane. Një ekip shumë i organizuar në pjesën defensive dhe nuk kanë nevojë për topin që të impresionojë. Posedojnë lojtarë cilësorë, lojtarë kampionë. Është një ndeshje e veçantë dhe janë rivalët tanë dhe luajmë në shtëpi. Duhet të jemi në nivel të lartë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë për të mposhtur një skuadër cilësore si ajo e Realit”, tha trajneri katalanas.

Për sfidën ndaj Realit pritet rikthimi i kapitenit Andres Iniesta, mungesën e të cilit Barcelona e ka ndjerë shumë në ndeshjet e fundit, edhe pse Enrique nuk e pranon.

“Është shumë e rëndësishme që Iniesta u rikthye sepse ai është kapiteni ynë. Por, sa i përket lojës, stili ynë nuk ndryshon në bazë të lojtarit, jemi në një sport ekipor dhe jo individual”, tha ai.

Top Channel