Guardiola dhe Conte, elozhe përpara “betejës”

02/12/2016 00:00

Pep Guardiola dhe Antonio Conte do të përballen mes vete ne ndeshjen kryesore të kësaj jave në kampionatin anglez. City i vendit të tretë pret liderët e Chelsea që po kalojnë në një formë të jashtëzakonshme.

Në konferencat përpara ndeshjes, të dy trajnerët kanë zgjedhur fjalët më të mira për njëri-tjetrin, ndërsa pranojnë se kjo do të jetë ndeshja më e vështirë e këtij sezoni.

“Conte është një nga trajnerët më të mirë në botë aktualisht. Kam mësuar shumë gjatë kohës që kam qenë në Itali. Ata s’e kanë fare problem të qëndrojnë brenda zonës së tyre për 89 minuta dhe janë mjeshtër të kundërsulmeve. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Juven dhe me kombëtaren italiane. Ndërsa tani ju e shikoni se Chelsea është një skuadër pretendente për titull. Kanë 7 fitore radhazi dhe po ecin shumë mirë”, tha Pep Guardiola.

“Asnjëherë nuk jam përballur me Pep. E respektoj shumë sepse pëlqen të studiojë futbollin dhe është gjithmonë në kërkim të zgjidhjeve të reja. Nuk është aspak e lehtë për një trajner t’i transferojë idetë e tij tek lojtarët në një periudhë të shkurtër kohore. Por ai është një trajner fantastik dhe po bën një punë fantastike te City. Ai gjeti një situatë të mirë në skuadër pasi drejtori sportiv dhe të tjerë të stafit kishin punuar me të te Barcelona. Ai gjeti një situatë të përshtatshme për të vënë në jetë idetë e tij në një periudhë të shkurtër”, tha Conte.

Manchester City nuk di për humbje në 6 ndeshjet e fundit, ndërsa Chelsea është në kërkim të fitores së 8 radhazi. Tifozët me të drejtë presin një ndeshje spektakolare të shtunën në ora 13:30, një sfidë që mund të tregojë shumë për ecurinë e këtyra skuadrave drejt titullit.

Aktualisht Chelsea është në vend të parë më 31 pikë, një më shumë se Liverpool i dyti dhe City i treti. Në rast fitore të “qytetarëve”, londinezët bien nga froni, ndërsa me një fitore të miqve hendeku rritet mes bluve e Cityt. Specialistët e futbollit në Angli thonë se as barazimi nuk i leverdis Guardiolës që duhet me patjetër të thyejë mbrojtjen e ngjeshur të italianit.

Top Channel