U dënua se drejtonte mjetin i dehur, 8 muaj në kërkim të patentës

02/12/2016 00:00

Pasi festoi me alkool mbylljen e vitit 2013, dita e parë e 2014-s e gjeti Lulzim Blakstorin të dehur dhe për këtë ai përfundoi në burg për akuzën e drejtimit të mjetit në gjendje të parregullt. Por 28-vjeçari vazhdon të vuajë efektet e kësaj ngjarjeje të dy viteve më parë.

I shpallur fajtor nga gjykata duke u dënuar me 6 muaj heqje lirie, burgimi iu konvertua në 18 muaj dënim me kusht, ndërsa patenta iu hoq për dy vite. Por ndonëse e ka plotësuar ndëshkimin e gjykatës, ai prej një viti është në kërkim të patentës, për shkak se trupa gjyqësore ka harruar të urdhërojë kthimin e sendeve personale, sikurse është edhe dokumenti i drejtimit të mjetit.

“Kam gati 8 muaj që po sorollatem lart e poshtë dhe nuk e gjej dot se ku është patenta. Kam hapur proces gjyqësor për tërheqjen e sendit personal. Bëra seancën e parë të gjyqit, ku u bë kërkesa që në datën 30 do të bëhej tërheqja e dosjes, për të parë nëse është patenta brenda ose jo, por ka një problem tjetër që gjykata është shumë e zënë saqë nuk ka arritur të marrë dosjen time”, tha Lulzim Blakstori.

Me zvarritjet që po has nga Drejtësia, ai thotë se tashmë ka frikë jo vetëm nga alkooli, por edhe nga drejtimi i automjetit.

“Mua më skadon patenta në janar të vitit 2017, por iu drejtova gjykatës për gjetjen e saj vetëm për parim”, tha Lulzim Blakstori.

Top Channel