Muzikantët me aftësi ndryshe

02/12/2016 00:00

Mirsada Belinovi është një vajzë e re, e aftë ndryshe. Natyra e ka limituar të bëjë disa gjëra, që ndoshta moshatarët e saj munden, por nuk e ka penguar të bëjë muzikë në mënyrën e saj.

Që prej 11 vitesh, së bashku me 24 shokë të tjerë të aftë ndryshe, si ajo, Mirsada bën pjesë në bandën frymore të qytetit të Shkodrës të pagëzuar me emrin “The Door”.

“Vegla që unë luaj është bass bariton. Është kënaqësi shumë e madhe të marrësh pjesë, sepse banda të jep një ndjesi shumë të madhe dhe ndihem shumë krenare që jam pjesë e  saj. I falënderoj të gjithë për mbështetjen që na japin në të gjitha aktivitetet që ne organizojmë”, tha Mirsada Belinovi.

Në fillim e ka pasur shumë të vështirë të ambientohet, por tani, pas 11 vitesh, Mirsada ndihet një muzikante e vërtetë.

“Ne bëjmë praktikë çdo të martë dhe të premte, nga ora 13:30-15:00. Në eksperiencat e para që kam luajtur ka qenë e vështirë, por kur nis e mëson nuk është ndonjë vështirësi e madhe”, tha Mirsada.

Muzikantët e kësaj bande frymore numërojnë një repertor prej 20 këngësh shqiptare e të huaja, një pjesë prej të cilave i interpretuan këtë të premte në Tiranë, ku festuan ditën dedikuar personave me aftësi të kufizuara.

Top Channel