Meta mbledh Kryesinë e LSI-së para Konventës Zgjedhore

02/12/2016 00:00

Këtë fundjavë Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojë Konventën Kombëtare Zgjedhore nga e cila do të dalin organet e reja drejtuese të saj, që mbërrijnë pas zhvillimi të zgjedhjeve për kryetar.

Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh në kuadër të Konventës Kombëtare Zgjedhore të LSI-së që do të zhvillohet në datat 3-4 dhjetor, dhe fillon nesër në orën 10:30, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

E në këtë kuadër, këtë të premte u mblodh Kryesia e kësaj partie ku kreu Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse. Ai falënderoi të gjithë anëtarët e Kryesisë së LSI-së për kontributin e tyre në këtë mandat katërvjeçar.

Meta theksoi se nga Konventa Kombëtare Zgjedhore e LSI-së do të dali Komiteti i ri Drejtues i cili do të zgjedhë edhe kryesinë e re të partisë, që do e drejtojë atë për katër vitet e ardhshme.

“Është kënaqësi që zhvillojmë këtë takim, sepse është mbledhja e fundit e kryesisë së këtyre 4 viteve. Duke qenë se nesër është Konventa Kombëtare Zgjedhore e LSI-së, që do të zgjedhë Komitetin e ri Drejtues Kombëtar, dhe që do të zgjedhë kryesinë e re që do të drejtojë LSI-në katër vitet që vijnë”, deklaroi ai.

Meta falenderoi Kryesinë aktuale për kontributin e dhënë sidomos në rezultatin e zgjedhjeve të 2013 dhe në ato lokale të 2015.

Top Channel