Stakimet e energjisë, OSHEE: Nenstacioni, në kolaudim deri më 15 dhjetor

02/12/2016 00:00

OSHEE-ja thotë se ndërprerja e energjisë që la në errësirë kryeqytetin mbrëmjen e së hënës, duke lënë përgjysmë edhe derbin Tirana-Partizani, erdhi si pasojë e një defekti në nënstacionin e qendrës, që gjendet në proces kolaudimi.

“Si çdo pajisje elektroshtëpiake që ka një kolaudim të thjeshtë, edhe ky nënstacion kërkon kolaudim të pajisjeve. Duke u ndodhur para një konsumi në rritje, ndodhi një incident ku një kabëll iu dëmtua izolacioni si pasojë e ngarkesës. Parashikohen në teknologji gjatë këtij procesi probleme të tilla”, u shpreh Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes.

Procesi i kolaudimit të nënstacionit pritet të zgjasë edhe për dy javë të tjera, çka do të thotë se probleme të ngjashme mund të shfaqen edhe përgjatë këtyre ditëve, në kushtet e rritjes së ngarkesës si pasojë e uljes së temperaturave.

“Me përfundimin e kontratës në 15 dhjetor që mbyllen të gjitha proceset e kolaudimit që janë të domosdoshme për çdo pajisje dhe makineri, futet në normalitet”, shtoi Lika.

Deri më 15 dhjetor, OSHEE-ja u bën thirrje veçanërisht institucioneve të rëndësishme të marrin masa për të shmangur ndërprerjet e energjisë.

Top Channel