Foshnja “e burgosur”

02/12/2016 00:00

Ina po mëson t’i hedhë hapat e parë në burg. Ditën kur e ëma u arrestua ishte 4-muajshe dhe sot vogëlushja mbush 1 vjeç. Gardianët,  punonjëset sociale dhe stafi i burgut 325, prej ditësh kanë përgatitur një surprizë për të. Secili prej tyre i ka sjellë një dhuratë.

Punonjësja sociale Blerina Duriçi tha: “Dhurata më e bukur është ky libër me përralla. Duam që ta ketë jetën si në përralla”.

Për gratë e dënuara, Ina e vogël është edhe fëmija e tyre jashtë burgut, ndaj secila kërkon që ta mbajë në krahë.

Por, Xhulianës, pavarësisht surprizës, ditëlindja e parë e të bijës në burg do t’i dhembë: “Nuk e di nëse do i them ndonjëherë që ka qenë në burg”.

Xhoi Jakaj, drejtoresha e burgut, shprehet se veshjen që ka blerë për vogëlushen ka menduar që ajo ta veshë jashtë burgut, në kopësht.

Xhuliana Çami është dënuar me 8 vjet burg, pasi përmes mashtrimit me shtëpitë me qira, ka shkaktuar një dëm prej 160 mijë lekësh te qytetarët. Gruaja ka deklaruar se e ka kryer veprën për shkak të papunësisë dhe pamundësisë për të ushqyer dy fëmijët e tjerë, për të cilët tashmë kujdesen familjarët.

Top Channel