Reforma në drejtësi, Avokati i Popullit marrëveshje me koalicionin “Drejtësi për të gjithë”

02/12/2016 00:00

Avokati i Popullit Igli Totozani ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me koalicionin “Drejtësi për të gjithë”, qëllimi i së cilës është promovimi më tej i vlerave dhe parimeve të të drejtabve të njeriut.

Qëllim tjetër është përcjellja e zërit dhe nevojave të publikut përmes iniciativave që përforcojnë pluralizmin dhe demokracinë pjesëmarrëse, kontributin për një sistem drejtësie të pavarur, profesional dhe të përgjegjshëm, në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, kontributin për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor dhe në përgjithësi, të institucioneve të tjera që lidhen me dhënien dhe administrimin e drejtësisë, në funksion të qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të vendit, si kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja synon institucionalizimin e bashkëpunimit të institucionit të Avokatit të Popullit me Koalicionin “Drejtësi për të gjithë”, në kuadër të monitorimit të zbatimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, për përmirësimin thelbësor të funksionimit të sistemit të drejtësisë, për monitorimin e performancës së institucioneve të drejtësisë, për sigurimin e aksesit në drejtësi, për edukimin ligjor dhe advokimin, veçanërisht për individët dhe grupet e paavantazhuar, si dhe për forcimin e shtetit të së drejtës dhe barazisë përpara ligjit.

“Gjatë veprimtarisë së institucionit, përmes shumë ankesave, kemi konstatuar se korrupsioni, mungesa e praktikave transparente, tejzgjatja e proceseve gjyqësore, apo mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore, kanë ndikuar në perceptimin negativ të publikut ndaj sistemit te drejtesise. Ndaj janë qytetarët ata që e kërkojnë Reformën në Drejtësi dhe kjo reformë është jetike për ta. Reforma në Drejtësi duhet të synojë një drejtësi të pavarur dhe efikase, të ndershme dhe transparente, si kushte themelore të ekzistencës së shtetit të së drejtës, si dhe kontrollit ligjor e juridik të ekzekutivit dhe institucioneve të tjera të shtetit shqiptar. Si Avokat i Popullit do të punojmë ngushtësisht, gjatë periudhës së zbatimit të reformës, bashkë me shoqërinë civile, për të bërë monitorimin e zbatimit të saj, si dhe lobing të përbashkët për përmirësimin e legjislacionit, në mënyrë që reforma të sjellë dobitë e pritura nga qytetarët shqiptarë. Kjo nuk është reformë e një klase politike, kjo është reformë e qytetarëve dhe duhet të bëhet për ta”, është shprehur z. Totozani.

Top Channel