Trump cakton kritikun e Obamës  Sekretar të Mbrojtjes

02/12/2016 00:00

Pas 3 javësh pushime luksoze, erdhi koha që Donald Trump të falenderojë mbështetësit që i dhanë votën.

Shefi i ri i Uashingtonit, i cili arriti një fitore mahnitëse, ka nisur një tur falenderimi në shtetet kryesore të fushë betejës elektorale. I shoqëruar nga zëvendëspresidenti Mike Pence, ai ndaloi së pari në shtetin e madh të Ohajos. Vetëm 50 ditë para se te marre në duar çelësat e Shtëpisë së Bardhë, Trump premtoi se do të zgjidhë ngërçin që ka kapur vendin.

“Në fund të fundit ne fituam, kjo ka rëndësi. Mos harroni që çdo ditë pas kësaj ju jeni ata që do të sillni ndryshimin”, tha Trump.

Gjatë fjalimit në turin “Faleminderit Amerike” miliarderi deklaroi edhe emrin e ri të sekretarit të Mbrojtjes që i bashkohet stafit të tij. Ai është një nga figurat më të rëndësishme ushtarake të Shteteve të Bashkuara, gjenerali James Mattis, ish-marins, i cili ka shërbyer  në misione në Irak dhe Afganistan.

Gjenerali njihet si një kritik i hapur i politikave të ndjekura në Lindjen e Mesme gjatë administratës “Obama”, veçanërisht kursit që Pentagoni ka ndjekur në Iran.

Ai e ka cilësuar Iranin si “kërcënimin e vetëm për stabilitetin dhe paqen në Lindjen e Mesme”. Edhe pse i entuziazmuar për fitoren dhe pas gati 3 javëve relaksi, Trump duket se nuk i kishte harruar inatet e vjetra me Hillary Clinton apo mediat, të cilat i sulmoi sërish.

Top Channel