Buxheti, Ahmetaj e Tabaku me qëndrime të kundërta edhe jashtë Kuvendit

01/12/2016 00:00

Ndërkohë që në Kuvend vijonin diskutimet e deputetëve, që duket se do të zgjasin ende, në një lidhje të drejtpërdrejt me edicionin qendror të lajmeve, me gazetaren Elona Meço kanë qenë ministri i Financave Arben Ahmetaj, si dhe deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Ministri, që vinte nga një replikë e sapopërfunduar me ish-deputetin socialist, Ben Blushi, theksoi pikat më të forta të buxhetit për vitin 2017.

“Sa i përket aspektit makroekonomik, ky është realisht buxheti me shifrat më të mira, krahasimisht me 25 vitet e fundit. Flas për deficitin buxhetor, i cili është më i ulti në këto vite; për raportin e huamarrjes dhe borxhit, një rregull i artë i cili është gjithashtu më i miri ndër vite, si dhe fillimi i trajektores së uljes së borxhit, për herë të parë që prej vitit 2010. E rëndësishme është se ky buxhet ka dy shtylla kryesore: së pari, financimi i të gjitha reformave, në drejtësi, energjia, decentralizimi dhe administrata publike. Te kjo e fundit dua të theksoj rritjen më të madhe në historinë 25-vjeçare të pagave dhe pensioneve, me një shumë 100 milionë dollarë brenda një viti. Shtylla e dytë është buxheti për qytetarët, që bën diferencën duke filluar nga shëndetësia, duke vijuar me shërbimet e tjera dhe me paketën sociale. Kemi rritje të investimeve publike sa 5% e PBB-së, ndërsa qytetarëve dua t’iu them se nuk do të bëjmë investime elektorale. Por më e rëndësishmja është se ne rrisim pagat e pensionet duke ulur borxhin, siç nuk ka ndodhur kurrë. Qeveria nuk krijon borxh të ri, por përkundrazi krijon suficit në balancën primare, të cilin e përdor për të ulur borxhin publik”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Sa i përket pikave të dobëta të buxhetit, të cilat besohet se janë identifikuar nga opozita, ka folur deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

“Ne hoqëm dorë së përgatituri amendamente, për faktin se kemi hequr dorë t’i japim sugjerime kësaj qeverie. Është e pamundur që të korrektohet situata ekonomike dhe buxheti në këtë fazë që kemi arritur. Ky buxhet formalizon rritjen me 1.5 miliardë dollarë të taksave në këto 4 vite. Këta i kanë taksuar qytetarët shqiptarë çdo ditë me 368 mijë dollarë shtesë. Ndërkohë që borxhi publik është rritur me 80 dollarë për frymë, rreth 27 për qind për çdo shqiptar. Finalizimi i këtij buxheti është që në fund të vitit 2017, shqiptarët do të jenë më të varfër, buxheti për shtresat në nevojë do të jetë më i ulët. Të gjitha premtimet që këta kishin në fillim të 2013-s i kanë braktisur dhe kanë filluar premtime të reja, kanë formalizuar informalitetin ekzistues gjatë këtyre viteve. Rritën taksat, ndërkohë që të ardhurat kanë qenë në rënie. Shqetësim real mbetet se të gjithë sektorët prioritarë janë në rënie të shpenzimeve. Arsimi me 2.3% të PBB-së, ndërsa premtuan se do e kishin 5%. Kurrë në këto 4 vite nuk kanë arritur që të rrisin investimet dhe shpenzimet publike në nivelin e 5%. Ka sektorë pa fund, të cilët tregojnë dështim nga pikëpamja e politikave fiskale, ashtu dhe të menaxhimit të financave publike. Element tjetër i rëndësishëm është se ky buxhet formalizon shqetësimin që kemi pasur për koncesionet. Ne vazhdojmë të jemi shteti me taksat më të larta, me konkurrueshmërinë më të ulët në rajon, dhe me procedurat më të rënda sa i përket të bërit biznes”, deklaroi Tabaku.

Qytetarët do të përfitojnë drejtpërdrejt një rritje pagash dhe nuk do të ketë rritje taksash, të paktën për këtë vit, siç kanë thënë ministri i Financave dhe kryeministri. Por a mund të quhet se ky buxhet është më afër qytetarit?

“Lajmi i mirë është mosrritja e taksave aq shumë sa ç’u rritën. Duhet gëzuar kur rriten shumë, ndërkohë që janë rritur pak. Në lidhje me pagat dhe pensionet, në fakt kishte ardhur momenti që qeveria të kompensonte indeksimin e munguar të këtyre 3 viteve. Paga minimale, për herë të parë në 25 vite, nuk ka pasur rritje. Paga e punonjësve në administratën publike nuk ka pasur rritje, e kjo për inerci është transferuar edhe në sektorin privat. Kjo është shoqëruar me një rënie të konsumit, rritje të shpenzimeve të buxheteve familjare vetëm për produkte ushqimore, që sipas INSTAT-it është 50%, ndryshe nga dje. Edhe kjo rritje që ata po bëjnë, kompensim i indeksimit, përsëri nuk arrin të kompensojë rritjen e shportës së ushqimeve që është rritur me 21%, ndërkohë që rritja më e lartë e pagave është 7%, e pensioneve 3%”, u shpreh më tej Tabaku.

Replika e ministrit Ahmetaj nuk mungoi.

“Unë e kuptoj, por nuk e mirëkuptoj zonjën Tabaku për keqinterpretimin e shifrave. Konsumi ka pësuar vetëm rritje në 4 tremujorët e fundit. Sa i përket të ardhurave të disponueshme, jo të nxjerra nga ne por nga FMN-ja, janë rritur në 3 vitet e fundit me 22%. Buxheti për qytetarin është përfitimi direkt i klasës së mesme dhe shtresave në nevojë nga ky. Është rritur me 3 herë ndihma ekonomike, janë 59 mijë fëmijë që përfitojnë kompensim për librat e shkollës, janë 16 mijë fëmijë që përfitojnë kompensim për vaksinimin, janë 600 mijë qytetarë që përfitojnë nga rimbursimi i ilaçeve, të pasiguruar. Janë 600 mijë qytetarë që përfitojnë mjekun e familjes falas, të pasiguruar. Deri më dje, mjeku i familjes do të duhej t’i merrte 1.000 lekë”, tha ministri i Financave.

Top Channel