Raporti i BE-së: Qytetet bregdetare të Libisë po pasurohen nga trafikimi i emigrantëve

01/12/2016 00:00

Qytetet bregdetare të Libisë po fitojnë miliona euro çdo vit nga trafikimi i qenieve njerëzore. Ky është konkluzioni i një komandanti të “task forcës” ushtarake të Bashkimit Europian në Mesdhe, në një raport konfidencial.

Raporti i dorëzuar për 28 vendet anëtare të BE-së ditën e mërkurë dhe i siguruar nga “Associated Press”, tregon sesa ndikim ka fluksi i emigrantëve drejt Europës në ekonominë e Libisë së trazuar nga lufta, duke u bërë pjesë qendrore e saj.

Në raport, kundëradmirali Enrico Credendino paralajmëron se “trafikimi i emigrantëve, që e ka origjinën shumë larg kufijve libianë, mbetet një burim i rëndësishëm të ardhurash për banorët lokalë në qytetet bregdetare të Libisë, duke saktësuar se sjell të ardhura nga 275 milionë deri në 325 milionë euro”.

Raporti nuk jep detaje sesi janë përllogaritur këto shifra, ndërsa zyrtarët e BE-së nuk kanë komentuar për momentin mbi këtë çështje.

Dhjetëra mijëra emigrantë që largohen nga Libia përmes varkave të papërshtatshme për lundrim janë kapur nëpër Mesdhe gjatë këtij viti, të cilët u kanë thënë punonjësve të shpëtimit se kanë paguar qindra e mijëra euro ndaj trafikantëve në Libi.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) përllogarit se 4.690 njerëz kanë humbur jetët gjatë këtij viti, në përpjekje për të kaluar Mesdheun për të mbërritur në Europë, ndërsa mbi 348.650 emigrantë e refugjatë kanë mundur të shkelin në kontinentin e vjetër.

Raporti i BE-së vlerëson punën e operacionit “Sophia”, një mision detar që synon të frenojë fluksin e emigrantëve drejt Europës, i cili është ndërmarrë nga 1 janari deri më 31 tetor. Credendino thekson në raport se, grupet ekstremiste islamike janë mes të përfshirëve në bizneset e trafikimit, që shpeshherë nisin nga zonat më të thella jugore të Afrikës.

“Al-Qaeda dhe AQIM (Al-Qaeda në Magrebin Islamik), së bashku me fisin ‘Tuareg’ në jugperëndim të Libisë vlerësohen se janë duke i shfrytëzuar financiarisht këto rrugë të trafikimit të qenieve njerëzore”, tha ai. Sipas kundëradmiralit, nuk ka ende prova se ekstremistët janë përpjekur të futen në Europë përmes rrugës së rrezikshme të Mesdheut Qendror, që ka të bëjë me vijën më të shkurtër detare nga Libia drejt Italisë.

Top Channel