Singapori njeh pavarësinë e Kosovës

01/12/2016 00:00

Singapori është shteti më i ri që njeh Kosovën. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Singapori njohu sot Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur dhe dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij.

Ndërkohë, qeveria kosovare ka shpërndarë edhe një deklaratë me notën zyrtare të qeverisë singaporiane.

“Në përgjigje të letrës së ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, të datës 24 qershor 2014 për ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Republika e Singaporit njeh Kosovën dhe vendos marrëdhënie diplomatike me të”, thuhet në deklaratë.

Me këtë njohje shkon në 113 numri i vendeve që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që vetë Singapori bëhet shteti i katërt aziatik që ka ndërmarrë këtë hap.

Qyteti-shtet, që ndodhet në jug-lindje të kontinentit të largët, ka njohur edhe pasaportat kosovare, ndaj qytetarët e vendit ballkanas mund të aplikojnë që sot për të marrë viza në konsullata apo në shërbimet online.

Në kuadër të këtij vendimi, ministri Hoxhaj do të vizitojë Singaporin në janar të vitit të ardhshëm, për të thelluar marrëdhëniet politike dhe ekonomike dypalëshe.

Top Channel