Bode: Qytetarët, të ekspozuar ndaj rritjes së taksave dhe çmimeve

01/12/2016 00:00

Duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit për paketën fiskale, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode ka theksuar se e vetmja gjë që ka bërë kjo qeveri ka qenë asfiksimi i qytetarëve me taksat e rritura.

“Shqiptarëve iu morën 400 milionë dollarë më shumë me faturat e energjisë, me burg e më policë. Kjo është ulja që premtuat në fushatë? Nuk e bëtë naftën pa akcizë për peshkatarët dhe fermerët, sikurse premtuat. Për më tepër, taksën e qarkullimit ia shtuat me 240 lekë të tjera për litër duke e bërë naftën për peshkimin dhe bujqësinë më të shtrenjtën në rajon”, ka thënë Bode.

Sipas tij, “në këto 3 vite e gjysmë shqiptarët kanë paguar 2 miliardë dollarë taksa më shumë, ndërkohë që i gjithë prodhimi i brendshëm bruto është 2.45 mld dollarë”.

“Ju keni shterrur gjithë prodhimin e brendshëm bruto të vendit”, ka thënë Bode. Ai ka theksuar se, edhe rritja e pensioneve që pretendon kryeministri Rama është një farsë. “Harroni që pjesën dërrmuese të pensionistëve i keni lënë të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve dhe taksave”, ka vijuar Bode.

Sa për ish-pronarët, ai ka akuzuar Ramën se, në këto 4 vjet ka dhënë më pak dëmshpërblime se qeveria e kaluar. “U keni dhënë vetëm atyre që janë gjallë, trashëgimtarët e atyre që kanë vdekur nuk kanë marrë gjë. Pavarësisht kësaj, 80 për qind e përfituesve kanë marrë vetëm 2 këste”, ka thënë Bode.

Duke vazhduar me akuzat ndaj kreut të ekzekutivit, Bode ka shtuar se, niveli i papunësisë është më i lartë që nga momenti kur kjo qeveri erdhi në pushtet. “Zoti kryeministër duhet të jepni llogari sepse u premtove shqiptarëve 300 mijë vende të reja pune. Sot është viti i katërt i mantatit tënd, sa vende të reja pune ke hapur? Mirë që s’u krijove 300 mijë vende të reja pune, po përse u rrite papunësinë zoti kryeministër, sipas statistikave tuaja”, ka thënë Bode.

Top Channel