Prokurori i Antimafias italiane, në Tiranë për drogën dhe operacionet e përbashkëta

01/12/2016 00:00

“Unë tashmë jam i vjetër, por mes pak gjërave që besoj është bashkëpunimi ndërkombëtar”. Me këtë deklaratë, prokurori i Antimafias së Leçes, Cataldo Motta përmblodhi takimin me dyer të mbyllura me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe një ekip prokurorësh të Krimeve të Rënda, që kanë nën hetim dosje të trafikut të drogës, sikurse edhe avionin e Ishmit.

Por i pyetur nga Top Channel sesi paraqitet trendi i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, prokurori Motta nënvizoi se është pikërisht rritja e trafikut që kërkon një bashkëpunim më intensiv.

“Situata është e tillë, që e bën të nevojshëm një bashkëpunim më intensiv se në të kaluarën, sepse është rritur trafiku, si me prejardhje nga Shqipëria, edhe nga vende të tjera të rajonit”, tha Cataldo Motta, prokuror i Antimafias së Leçes.

Vizita në Shqipëri e prokurorit të Antimafias dhe takimi me prokurorë të Krimeve të Rënda vjen pa kaluar shumë ditë nga kërkesa e Krimeve të Rënda drejtuar misionit “Interforce” për të marrë filmimet nga ajri të parcelave me drogë në Shqipëri.

Prokurori i Antimafias në Leçe, së bashku me zëvendësprokurorin italian, takoi një ditë më parë edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahirin, i cili është shprehur i gatshëm për çdo nismë të përbashkët për hetime kundër trafikut të drogës.

Prokurori i Antimafies vlerësoi se bashkëpunimi ka qenë i frytshëm dhe veçoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të luftuar fenomenet kriminale. Ata theksuan gjatë takimit mirëkuptimin mes Italisë e Shqipërisë për të përforcuar bashkëpunimin në sektorin e sigurisë dhe të luftës kundër terrorizmit, për administrimin e kufijve, si dhe për të rritur aftësinë e forcave policore të të dy vendeve për këtë qëllim.

Prokurori Cataldo Motta takoi gjithashtu edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky i fundit deklaroi se monitorimi nga ajri i “Guardia di Finanza”-s në të gjithë territorin e vendit dhe dhjetëra operacione antitrafik të përbashkëta me policinë italiane tregojnë një bashkëpunim serioz e të besueshëm.

Top Channel