Berisha: Qeveria, suksese imagjinare. Negociatat, kusht jo vetting-u

01/12/2016 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka cilësuar si “suksese imagjinare” deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Financave për rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe rritjen ekonomike të shqipërisë.

Në fjalën e tij në seancën plenare të së enjtes, Berisha ka deklaruar se edhe të dhënat e ofruara nga krerët e qeverisë duke cituar institucionet ndërkombëtare nuk janë të vërteta.

“Sot vazhduat me rezultatet imagjinare. Nuk mund të mos u vendos epitetin e papërgjegjshmërisë parafolësve (Ahmetaj dhe Rama). Sipas tyre, Banka Botërore konstaton se varfëria është reduktuar me 46 për qind. Po jua tregoj unë se çfarë thotë raporti i BB për Shqipërinë, për të treguar pafytyrësinë që përdoret në platformën e qeverisë. BB në raportin e saj 2015 thotë se nivli i varfërisë në Shqipëri është 47.5 për qind. A ka gjë më cinike e më të pështirë se kjo? Kjo ndodh vetëm në diktaturë”, ka thënë Berisha.

Ish-kryeministri e ka krahasuar ekzekutivin aktual me një organizatë kriminale për shkak të gënjeshtrave që sipas tij i servir qytetarëve.

“Ju jeni një organizatë kriminale dhe silleni si organizatë kriminale. Thoni ju se po rrisni rrogat me 100 milionë dollarë, se janë 7 miliardë lekë. Po le ta lëmë këtë, e zëmë se është kështu. Piktori dështak deklaron se në 3 vite rrogat u rritën 125 milionë dollarë për çdo mjek, çdo infermier, çdo mësuese, çdo qytetar. Shpërblimet për administratën jepeshin vetëm për të tamponuar rritjen e inflacionit. Kjo dëshmon injorancën e turpshme të tyre”, ka thënë Berisha.

Sot këtu, ka vijuar ai, “Nastradini i shkaravinave, që nuk di ç’është GDP-ja, u thotë shqiptarëve se këtë vit do investojmë 3 për qind të GDP-së në shëndetësi dhe pastaj sa është shifra e investimeve? 50 milionë dollarë. Kaq është për injorantin 3 për qind e GDP-së”, ka shtuar Berisha.

Berisha ka komentuar edhe vizitën e fundit të kryeministrit Rama në Gjermani dhe mesazhin e kancelares Merkel për Shqipërinë. Sipas tij, kushti i vërtetë për çeljen e negociatave të anëtarësimit nuk është vetting-u, por konsensusi politik për reformën në drejtësi, “që u varros nga Edvin Rama”.

“Zonja në Gjermani i tha se politika e brendshme, pra konsensusi, është kusht për hapjen e negociatave. Ky është shkaku themelor. Dëgjoni çfarë tha dje përfaqësuesja në PE, konsensusi. Dhe kjo ishte arsyeja kryesore përse Shqipërisë i thanë s’kemi punë me ty. Kusht tjetër është krimi. Janë jo një, por disa Ministri të Brendshme të vendeve anëtare të BE që kanë nxjerrë kartonin e kuq”, ka thënë Berisha.

Ai ka përmendur këtu edhe shtrirjen e kultivimit të kanabisit në vend, që sipas tij ka shqetësuar jashtë mase vendet anëtare të Unionit. “Një ditë para se të udhëtonte në Gjermani, televizioni kombëtar gjerman transmetonte “Shqipëria, Kolumbi në Europë”. BBC dje po ashtu, ndërsa ai thotë se asnjë zyrtar s’ma ka përmendur kanabisin”, ka thënë Berisha.

Top Channel