Nis rikonstruksioni i rrugës që lidh Krrabën me autostradën

01/12/2016 00:00

Bashkia Tiranë ka nisur rikonstruktimin e rrugës që lidh autostradën me Krrabën, si një premtim i dhënë në fushatë dhe i bërë realitet.

“Më vjen mirë që në fillimin e vitit tonë të dytë, po mbajmë një premtim që dhamë një vit e pak më parë, për rrugën e Krrabës. Më vjen mirë për 3200 banorët që janë rezidentë në Krrabë dhe që çdo ditë duhet të komunikojnë me Tiranën, disa herë pë të shkuar në spital, për të shkuar në shkollë, treg apo disa herë për të shkuar në punë, të cilët do të kenë një lidhje dinjitoze me kryeqytetin dhe besoj se në kohë rekord siç po punohet, do ta përfundojmë rrugën përpara afatit 6 mujor”, tha Veliaj.

Por krahas meremetimit të këtij aksi me një gjatësi prej 4 km, bashkia ka një plan per zhvillimin e bujqësisë dhe përqëndrimin e vëmendjes së turistëve në vendet specifike që ofron kjo zonë.

“Duam të rigjallërojmë disa nga pikat turistike të zonës si Shpella e Pëllumbasit, një “pajë” fantastike e natyrës, të cilën Zoti na e ka dhënë për ta reklamuar e tërhequr turistë. Po ashtu, më vjen mirë që në disa prej zonave bujqësore, kemi pasur kontaktet e para me fermerët se si mund të aksesojmë më shpejt tregun në Tiranë. Pas dimrit duam të fokusohemi më shumë në promovimin e  produkteve lokale”, tha Veliaj.

Veliaj tha se ky investim shërben edhe si provë se bashkia nuk punon me dy standarte për zonat urbane dhe ato rurale.

“Nuk mund të kemi një Tiranë që ecën me dy shpejtësi; pra, me marshin e pestë në qendër, dhe me marshin e parë në periferi. E vetmja mënyrë se si mund të arrijmë një Tiranë të balancuar është fillimisht duke balancuar buxhetin, e dyta duke balancuar investimet”, theksoi kreu i bashkisë së Tiranës.

Top Channel