Vetting-u, Rama: PD, akt anti-kombëtar. Berisha: Konsensusi, kushti real i BE

01/12/2016 00:00

Çështja e Vetting-ut ka zbritur në seancën e kësaj të enjteje në Parlament, me kryeministrin Rama që ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të ligjit.

“Që ju nuk e doni Vetting-un, kjo nuk diskutohet, por që do të arrinit në pikën ku do të thoshit që fajin e ka përkthyesi, kjo ka tejkaluar të gjitha parashikimet. I keni zënë rrugën zbatimit të ligjit pa e çarë kokën fare se ky është një mur për çeljen e negociatave”, ka deklaruar Rama.

Ai ka paralajmëruar opozitën se nuk do ta ndalojë dot reformën në drejtësi dhe se do ta paguajë për vonesën që po i shkakton asaj. “Prap po ju them, ju nuk e ndaloni dot zbatimin e reformës, s’keni shanse. Ju thjesht do ta vononi dhe do ta paguani sa frëngu pulën vonesën në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Rama.

Sipas tij, kjo që po bën opozita është anti-shqiptare dhe bëhet sepse ajo i trembet vetting-ut. “Kjo që po bëni me reformën në drejtësi është thelbësisht anti-shqiptare, një akt anti-kombëtar i pastër”, ka thënë Rama.

Berisha: Vetting-u nuk është kusht, kusht është konsensusi

Duke marrë fjalën në seancë, ish-kryeministri Berisha ka komentuar vizitën e fundit të kryeministrit Rama në Gjermani dhe mesazhin e kancelares Merkel për Shqipërinë. Sipas tij, kushti i vërtetë për çeljen e negociatave të anëtarësimit nuk është vetting-u, por konsensusi politik për reformën në drejtësi, “që u varros nga Edvin Rama”.

“Zonja në Gjermani i tha se politika e brendshme, pra konsensusi, është kusht për hapjen e negociatave. Ky është shkaku themelor. Dëgjoni çfarë tha dje përfaqësuesja në PE, konsensusi. Dhe kjo ishte arsyeja kryesore përse Shqipërisë i thanë s’kemi punë me ty. Kusht tjetër është krimi. Janë jo një, por disa Ministri të Brendshme të vendeve anëtare të BE që kanë nxjerrë kartonin e kuq”, ka thënë Berisha.

Ai ka përmendur këtu edhe shtrirjen e kultivimit të kanabisit në vend, që sipas tij ka shqetësuar jashtë mase vendet anëtare të Unionit. “Një ditë para se të udhëtonte në Gjermani, televizioni kombëtar gjerman transmetonte “Shqipëria, Kolumbi në Europë”. BBC dje po ashtu, ndërsa ai thotë se asnjë zyrtar s’ma ka përmendur kanabisin”, ka thënë Berisha.

Rama: PD, akt anti-kombëtar

Por për Ramën, faji për ngecjen e procesit të integrimit e ka opozita, që e ka çuar Vetting-un në Gjykatën Kushtetuese. Duke rimarrë fjalën për t’iu përgjigjur akuzave të Berishës, Rama ka deklaruar se, PD po mban peng gjithë këtë proces.

“Aleatët tuaj strategjikë tashmë brenda sistemit janë gjyqtarët e korruptuar. Nuk mund të merrni peng këtë proces duke krijuar pretekst përkthimin. Datën e hapjes së negociatave e vendosim ne duke zhbllokuar. 5 prioritetet do të jenë kriter për Shqipërinë derisa të anëtarësohet në BE. Vetting-un. Ti dhe partia jote jeni në pozita anti-kombëtare”, ka thënë Rama duke iu drejtuar Berishës.

Top Channel