Aleppo, varrezë gjigante; vazhdojnë bombardimet

01/12/2016 00:00

Bombardimet intensive shkaktuan një tjetër rekord viktimash në Aleppo, ku videot tregojnë trupa njerëzish të pajetë nëpër rrugët e qytetit. Situata ngriti edhe njëherë alarmin.

“Qyteti sirian rrezikon të kthehet ne një “varrezë gjigante” nëse nuk merren masa urgjente për të ndihmuar popullin”, ky është mesazhi qe dha Këshilli i  Sigurimit të OKB-së pas një takimi urgjent. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me sallën e Këshillit të Sigurimit, shefi i humanitar i OKB-së bëri apelin e tij.

“Për hir të njerëzimit, ne i bëjmë thirrje te gjitha partive apo atyre që kanë influencë në këtë çështje të bëjnë gjithçka kanë në dorë për të mbrojtur civilet dhe njëherësh të na mundësojnë aksesin në pjesët e rrethuara të Aleppos, para se qyteti të kthehet në një varrezë gjigante”, tha Stephen O’Brien shefi humanitar i OKB.

Edhe Vitally Churkin, përfaqësuesi i Rusisë në OKB, tha se Moska ndan të njëjtin shqetësim për popullsinë civile, por ai fajësoi tjetër kënd.

“Organizata ‘Helmetat e bardha’, që pretendojnë se mbrojnë civilët nga ndërtesat e bombarduara, janë një grup ‘pseudo-humanitar’,  ndërsa rezoluta e OKB-së që bën thirrje për dhënien fund të gjakderdhjes është ‘një taktikë e pakuptimtë’”, shprehet Vitally Churkin, përfaqësuesi i Rusisë në OKB.

Nga dita e shtunë, rreth  25.000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Aleppon lindore, më shumë se gjysma e tyre fëmijë. Analistët thonë se nëse  forcat e Asadit, të mbështetur nga rusët, do të vazhdojnë të bëjnë lëvizjet e tyre në qytetin e dytë më të madh të Sirisë, bota më pas do të llogarisë vetëm koston e një katastrofe humanitare dhe ushtarake të cilën dështoi ta ndalonte.

Top Channel