NBA, San Antonio,11 fitore jashtë fushe

01/12/2016 00:00

San Antonio ruan pathyeshmërinë në ndeshjet jashtë parketit të tij. Skuadra e drejtuar nga Gregg Popovich fitoi derbin teksan me Dallas 94-87, duke shënuar suksesin e 11 në po kaq ndeshje në transfertë, duke u bërë e treta skuadër në historinë e NBA që e arrin diçka të tillë.

Dallas pati mundësinë më të mirë për të gjunjëzuar Spurs në periodën e tretë teksa shënoi një rezultat të pjesshëm 13-0 për të marrë avantazhin në 60-47. Por San Antonio përmbysi gjithçka në periodën e fundit për të arkivuar fitoren e 14 sezonale.

Oklahoma City arriti të mposhtë Washington Wizards pas kohës shtesë 126-115. Russell Westbrook ishte i papërmbajtshëm në këtë ndeshje duke e udhëhequr skuadrën e Thunder drejt suksesit të 12 sezonal. Momenti më i mirë i tij ishte pikërisht në 5 minutat e kohës shtesë kur shënoi 14 nga 35 pikët personale të tij të takimit.

Në ndeshjet e tjera të NBA Denver u mund nga Miami 106-98, LA Lakers fitoi me Chicagon 96-90, ndërsa New York mposhti Minnesotën 106-104. Ndeshja mes Philadelphias dhe Sacramentos u shty për një datë tjetër për shkak të problemeve të shfaqura në parket pas ndeshjes së hokejit të zhvilluar një ditë më parë.

Top Channel