Ujdia e paqes me FARC, miratohet nga Kongresi në Kolumbi

01/12/2016 00:00

Pas refuzimit të marrëveshjes së parë të paqes në një referendum popullor, Kongresi Kolumbian aprovoi një ujdi të rishikuar për t’i dhënë fund konfliktit 50-vjeçar mes qeverisë dhe grupit të rebeleve të FARC.

Dhoma e Ulët ratifikoi paktin një ditë pasi ai u mbështet nga Senati pavarësisht kundërshtive të opozitës.

Marrëveshja synon t’i japë fund konfliktit të armatosur që i ka kushtuar jetën më shumë se 260 mijë njerëzve përgjatë 5 dekadave. Presidenti Juan Manuel Santos e mirëpriti atë që e quajti mbështetje historike për nisjen e procesit, mbi bazë të së cilit mijëra luftëtarë të FARC do të largohen nga kampet e tyre në xhungël e do të ulin armët.

Rebelet pritet të zhvendosen në zona tranzicioni përgjatë 6 muajve në vazhdim, të dorëzojnë armët e dhe të krijojnë një parti politike. Ushtria, ndërkohë, do të pozicionohet në territoret e kontrolluara nga FARC për të parandaluar pushtimin e tyre nga trafikantët e drogës.

Palët arritën një marrëveshje paqeje me herët gjatë viti pas 4 vitesh bisedimeve në kryeqytetin e Kubës, Havana. Por populli votoi me diferencë të ngushtë për të mos e mbështetur marrëveshjen gjatë një referendumi në muajin tetor.

Kundërshtarët mendonin se ajo u ofronte shumë lehtësime forcave të armatosura revolucionare të Kolumbisë, përfshirë faljen atyre që kanë kryer krime gjatë konfliktit. Në vazhdën e rezultateve të papritura të referendumit liderët e qeverisë e të rebelëve bënë disa ndryshime dhe sipas presidentit Santos propozimet e reja marrin në konsideratë shqetësimet e kampit kundërshtar të drejtuar nga ish-presidenti Alvaro Uribe.

E megjithatë ky i fundit tha se edhe ujdia e rishikuar është shumë e butë ndaj udhëheqësve të FARC.

Top Channel