Tragjedia ajrore, piloti raportoi mungesë karburanti

01/12/2016 00:00

Pak para se avioni me numër fluturimi 2933 të rrëzohej në një kodër të Medellin pranë Kolumbisë piloti u raportoi një problem elektrik dhe mungesë të karburanti, operatorëve të trafikut ajror.  Kjo gjë është zbuluar nga një regjistrim audio që ka rënë në duart e mediave.

“Kemi një emergjencë me karburantin kështu ju kërkoj menjëherë udhëzimet finale…Kordinatat ju lutem…”, ka thënë piloti.

Biseda ofron detaje të reja lidhur me momentet e fundit të aksidentit të së hënës që i kushtoi jetën 71 personave, përfshirë pjestarë të ekipit brazilian të futbollit të çhapecoense. 6 të tjerë shpëtuan..Edhe autoritetet kolumbiane thanë se po shtohen provat se avioni ishte rrëzuar për shkak të mungesës së karburantit ndërsa po përpiqej të ulej. Sekretari për sigurinë në aviacionin civil Freddy Bonilla, tha:
‘Në zonën e impaktit nuk është gjetur gjurmë karburanti, kështu po shqyrtojmë mundësinë e një black out-i në motorë për shkak të mungesës së karburantit…Motorët janë burimi elektrik, dhe pa karburant ato nuk funksionojnë më”.

Një tjetër tregues për mungesën e karburantit është fakti se pas rrëzimit të avionit nuk pati një shpërthim, e në mbetjet e mjetit fluturues nuk u gjetën shenja djegie…Autoritetet thone se kutitë e zeza që regjistrojne detajet e fluturimit do të dërgohen në Britaninë e madhe e do të hapen nga kompania prodhuese Bae.

Hetimi pritet të zgjasë disa muaj. Ndërkaq dhjetëra mijëra adhurues të ekipit futbollistik të Chapecoense u mblodhën në stadiumin e Medellin ku do të luhej finalja e Kupës së Amerikës së Jugut e gjithashtu në qytetin e Chapecos në Brazil, për të bërë homazhet përfundimtare. Shumë prej tyre ishin veshur me të bardha dhe mbanin qirinj në duar.

Chapecoense humbi 19 lojtarë në aksident.U vranë gjithashtu edhe 20 gazetarë. Nga të mbijetuarit, 2 prej lojtarëve thuhet të jenë ende në gjendje të rëndë por të qëndrueshme, ndërsa portierit i është prerë njëra këmbë dhe rrezikon të humbase edhe tjetrën.

Top Channel