Kupa e Ligës, United në gjysmëfinale, eliminohet Arsenali

30/11/2016 00:00

Manchester United më në fund rikthehet të fitorja. Ky lajm është po aq i rëndësishëm sa edhe futja në lojë e mesfushorit gjerman Bastian Schëeinsteiger që u prit me ovacione nga tifozët në “Old Trafford”.

“Djajtë” nxorën hakun e pak ditëve më parë dhe fituan 4-1 ndaj West Ham për të siguruar një biletë për gjysmëfinalen e Kupës së Ligës. Ibrahimovic dhe Martial shënuan nga dy gola për të rikthyer buzëqeshjen në “Teatrin e Ëndrrave”.

Jose Mourinho nuk ishte i pranishëm në stol, pasi vetëm pak orë para ndeshjes u pezullua nga Disiplina për shkak të gjesteve në sfidën e fundjavës po ndaj West Ham që përfundoi në barazimin 1-1.

Në minutën e 87 Martial i lë vendin Schweinsteiger që luan për herë të parë këtë sezon. Përpos vet gjermanit, të lumtur ishin edhe tifozët që e pritën mesfushorin me ovacione.

Southampton u kualifikua në gjysmëfinale të Kupës së Ligës për herë të parë në 30 vite, pasi fitoi 0-2 në transfertë ndaj Arsenalit.. Wenger hodhi në fushë një skuadër me të rinj, duke i dhënë mundësinë që të tregojnë veten.

Loja me kundërsulme funksionoi mrekullisht për “shenjtorët” të cilët kaluan në epërsi që në minutën e 13 me Jordy Clasie. Arsenal e pa veten në disavantazh prej dy golash para përfundimit të pjesës së parë kur realizoi edhe Ryan Bertrand.

Wenger reagoi duke futur në lojë Granit Xhakën dhe Alex Oxlade-Chamberlain, por miqtë vazhduan të jenë shumë të rrezikshëm dhe në fund edhe të dalin kryelartë nga “Emirates”.

Top Channel