Kortezhi funeber, hiri i Castros drejt banesës së fundit

30/11/2016 00:00

Mbuluar me flamurin e Kubës, arkivoli me hirin e Fidel Castro kaloi përmes kryeqytetit Havana duke nisur udhëtimin drejt banesës së fundit në lindje të Kubës, atje ku shumë dekada më parë u dëgjuan krismat e para të revolucionit.

Castro, i cili sundoi Kubën për gjysmë shekulli deri më 2008 dhe i dha jetë Revolucionin Kuban në dyert e Amerikës, ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare të premten, duke bërë që në ishullin-shtet të shpallen 9 ditë zije kombëtare.

Trupi i Castros u dogj të shtunën dhe kortezhit me hirin e tij do t’i duhen tre ditë për të mbuluar distancën prej 900 kilometrash deri në Santiago, duke përshkuar në kahun tjetër rrugën e bërë nga revolucionarët e tij në marshin triumfues drejt Havanës në vitin 1959.

Kortezhi u nis nga sheshi i Revolucionit, i shoqëruar nga mijëra njerëz që gjendeshin në të dyja anët e rrugës. Qindra mijëra të tjerë pritet që ta presin kortezhin gjatë udhëtimit përmes kombit, ndërsa ai shkon drejt Santiagos, ku Castro nisi lëvizjen revolucionare në vitin 1953 me sulmin ndaj kazermave ushtarake Moncada.

Më vonë, pasi Castro bashkë me guerrilasit e tij rrëzuan diktatorin e mbështetur nga SHBA Fulgencio Batista, ata zbritën nga malet Sierra Mastra në Santiago, para se të nisnin marshimin e fitores drejt Havanës. Varrimi i hirit të Fidel Castros do të kryhet në këtë qytet ditën e dielë.

Top Channel