De Biasi: Juve mund të fitojë Championsin

30/11/2016 00:00

Në intervistën e tij ekskluzive për edicionin italian të “Goal.com”, trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, foli edhe për mundësitë e kampionëve italianë të Juves në Europë, futbollin italian në përgjithësi dhe ish-skuadrën e tij, Torino.

Sa i përket rrugëtimit të Juventusit në Champions, De Biasi mendon se “zonja” ka elementët e duhur për të ngritur trofeun me “veshë të gjatë” në muajin maj. Ai rendit edhe pikat që e bëjnë këtë skuadër të fortë.

“Sipas meje mund të arrijë deri në fund, por shpresojmë që të jem vetëm unë që e mendoj kështu, pasi herën e fundit që askush nuk e besonte, Allegri e çoi ekipin deri në finale… Nëse rikuperon lojtarët e rëndësishëm dhe arrin në maksimum në mars, për mua Juventusi është një prej kandidateve për fitoren finale, pasi ka eksperiencë dhe askush nuk ka një mbrojtje aq të fortë. Gjithashtu është shumë e ndryshueshme taktikisht, një karakteristikë që pak skuadra europiane e kanë. Allegri mund të ndryshojë rreshtimin taktik sipas kundërshtarit apo edhe gjatë vijimësisë së ndeshjes për të surprizuar kundërshtarët”, shprehet De Biasi.

Trajneri i Shqipërisë thotë se në kampionatin italian luhet nën ritëm. Sipas tij, ky është defekti kryesor i skuadrave italiane që i pengon të kenë sukses edhe në Europë.

“Kam parë ndonjë ndeshje të kampionatit italian por ndjesia që kisha është se luhet gjithmonë nën ritëm. Në të gjithë kampionatet e tjera ka një intensitet tjetër dhe në fakt, kur luajmë në Kupat e Europës, kundërshtarët ecin me dyfishin e ritmit dhe ne jemi të detyruar t’i ndjekim. Ky është defekti ynë i parë, ai i cili më pas na pengon që të arrijmë deri në fund në turnetë europianë”, vijoi ai.

Torino po arrin rezultate të mira këtë sezon dhe kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga Gianni de Biasi, i cili përgëzon presidentin e skuadrës. Sipas tij, Torino i ka të gjitha kushtet e duhura për të ëndërruar gjëra të mëdha.

“Jam shumë i lumtur për rezultatet e Torinos dhe jam i lumtur që pas disa eksperimentesh, Cairo ka kuptuar që është e rëndësishme t’i jepet vazhdimësi projektit. E ka bërë me Venturën dhe shpresoj që ta bëjë edhe me Mihajloviç, i cili po tregon se e meriton. Më pëlqen edhe filozofia për të investuar te të rinjtë dhe me lojtarët që kanë shumë dëshirë për të shpërthyer e për të luftuar: mendoj për Belotin, padyshim, por edhe për Baselli, Barreca, Zappacosta, Iago Falque. Pastaj është Ljajiç, i cili është shumë i fortë dhe që jep me Mihajloviç aq sa nuk e bën me asnjë tjetër. Janë me të vërtetë të gjitha kushtet e duhura për të ëndërruar gjëra të mëdha”, tha De Biasi.

Top Channel