Administrata publike, Rama: 100 milionë dollarë për rritje pagash

30/11/2016 00:00

Qeveria ka prezantuar pasditen e kësaj të mërkure planin e saj për modernizimin e administratës publike, duke e vënë theksin tek rritja e rrogave për punonjësit e kësaj kategorie.

Duke marrë fjalën në këtë event, kryeministri Rama ka deklaruar se shërbëtorët e shtetit duhet të vlerësohen për kontributin e tyre në realizimin e reformave të qeverisë së tij.

“Besoj se është momenti që të gjithë ata që i shërbejnë këtij shteti të ndajnë frytet e para të reformave dhe rritja e pagave nuk është thjesht e zakonshme, por është dhe një shpërblim i merituar për gjithë mbështetjen që ata i kanë dhënë reformës”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë me dije se, “qeveria ka vendosur që të spostojë nga buxheti i shtetit në atë të familjeve 100 milionë dollarë, për të rritur rroga e pensione”.

“Është hera e parë që hiqen kaq shumë para për administratën nga buxheti i shtetit”, ka thënë Rama.

Në vijim të fjalës së tij Rama i ka quajtur “përralla” pretendimet e opozitës se qeveria e tij ka rritur taksat. Ai ka theksuar se, në rreth 3 vjet e gjysmë kjo qeveri ka bërë shumë më tepër se qeveria e kaluar në 8 vjet, duke shpenzuar 540 milionë dollarë për fuqinë blerëse.

Më herët, ministri i Financave Arben Ahmetaj sqaroi se, pagat për administratën do të rriten 7 për qind dhe se fondi për këtë rritje shkon 7.2 miliardë në nivel 12-mujor.

“Ka një fond tjetër për transferimet nga administrata publike në atë lokale dhe është hera e parë që ka një shumë kaq të konsiderueshme në dispozicion të administratës publike, duke filluar nga mjekët e duke vazhduar me mësuesit, policët, ushtarët”, tha Ahmetaj.

Shefi i financave shqiptare nënvizoi se, paketa e rritjes do të ketë edhe një “fytyrë sociale” sa i përket pagave të ulëta. “Kjo rritje bazohet tek suksesi i reformës, tek rritja e pagave pa borxh”, shtoi Ahmetaj.

Top Channel