Hap fals i Skënderbeut, Kukësi rimerr kreun

30/11/2016 00:00

Skënderbeu nuk arriti më shumë se një barazim pa gola përballë Luftëtarit. Në sfidën e luajtur në Gjirokastër kishte pak raste shënimi, me miqtë që pretenduan edhe për një penallti që nuk u dha nga gjyqtari.

Kampionët u futën në ndeshje pa disa titullarë dhe në fillim u vunë në vështirësi nga vendasit që rrezikuan të parët me Reginaldon. Në 45 minutat e para, Skënderbeu nuk kishte asnjë rast të mirë shënimi, por gjërat ndryshuan në fraksionin e dytë.

Latifi gjuan rrezikshëm në të 53-n, por portieri Ruci që debutoi me Lufëtarin, arriti të ndal gjuajtjen. Luftëtari shikon shansin e tij të artë dy minuta më pas kur në një kundërzbritje Abazaj lëshohet i vetëm drejt portës por Micin dhe Jashanica i heqin mundësinë e goditjes.

Në minutën e 61, Latifi futet në zonë dhe pengohet, por kryesori Kreshnik Cjapi e konsideron si simulim dhe ndëshkon futbollistin me kartonin e verdhë. Deri në fund, shifrat nuk ndryshojnë dhe ndeshja mbyllet 0-0.

Hapin fals të Skënderbeut e shfrytëzon Kukësi që nuk gabon dy herë radhazi në “Zeqir Ymeri” dhe rimerr kreun me pikë të barabarta me korçarët, por me golaverazh më të mirë.

Pas barazimit ndaj Tiranës fundjavën e kaluar, skuadra e Ernest Gjokës mposhti 2-0 Laçin. Goli i parë u realizua në minutën e 28 me Matija Dvornekovic që gjen rrjetën. Kroati përfitoi nga një top i mbetur në zonë pas një krosimi të Cariocës dhe me një goditje fluturimthi nuk i dha asnjë mundësi portierit mik.

Edhe në pjesën e dytë kishte vetëm një skuadër në fushë dhe ajo ishte Kukësi. Goli i dytë i verilindorëve erdhi në minutën e 65 me Eminin. Sulmuesi nga Tetova realizoi një supergol për avantazhin e dyfishtë të skuadrës vendase. Pavarësisht rasteve, Kukësi nuk arriti të shënojë një gol tjetër, por edhe me dy gola arrin të rimarrë kreun.

Top Channel