Greqi, kapen 70 refugjatë sirianë në një pyll mes ngricës në Selanik

30/11/2016 00:00

Autoritetet greke kanë zbuluar rreth 70 emigrantë, përfshi fëmijë, në një pyll të mbuluar nga bora në qytetin verior të Selanikut këtë të mërkurë, kjo për shkak se trafikantët duket se u janë rikthyer rrugëve të vjetra të njohura drejt Bashkimit Europian, në vend që të kalojnë përmes Mesdheut nga Turqia.

Pjesëtarë të këtij grupi, të cilët thonë se ishin nga Siria, deklaruan për policinë greke se kishin kaluar lumin Evros në kufirin greko-turk me anë të gomoneve, e më pas ishin dërguar për në Selanik të fshehur në një kamion.

Shoferi i kamionit i la ata në mes të pyllit orët e vona të së martës, duke bërë që ata të kalonin natën mes të ftohtit të acartë. Shoferi është vënë nën kërkim policor, bëjnë të ditur autoritetet.

Temperaturat janë ulur nën zero gradë gjatë dy ditëve të fundit në shumë pjesë të Greqisë, ndërsa përgjatë natës janë shënuar edhe reshje të dendura dëbore në male dhe në zonat veriore të vendit.

“Kemi qëndruar gjatë të gjithë natës në pyll. Ishte shumë ftohtë dhe binte dëborë”, tha 22-vjeçari sirian, Omar Abdi Aziz për “Associated Press” përmes komunikimit telefonik. “Jemi shumë të lodhur”, shtoi më pas ai, teksa tha se kanë ecur për më shumë se 3 ditë, si pjesë e udhëtimit të tyre që prej largimit nga Turqia.

Aziz tha se kërkonte të shkonte në Suedi, ku jetojnë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij. Bazuar nën marrëveshjen mes Bashkimit Europian dhe Turqisë të arritur në mars, emigrantët dhe refugjatët që mbërrijnë në ishujt grekë nga Turqia përballen me deportimin drejt këtij shteti. Gjithsesi, kjo marrëveshje nuk zbatohet për ata që kalojnë kufirin tokësor mes dy vendeve në këmbë.

Zona e Evrosit ka parë një rritje të ndjeshme të kalimit të paligjshëm ndërkufitar gjatë muajve të fundit. Shifrat e policisë tregojnë se 11 trafikantë dhe 291 emigrantë janë burgosur nga kjo zonë në shtator, ndërsa 22 trafikantë dhe 655 emigrantë janë kapur në tetor.

Top Channel