“Pirelli” sjell ajkën hollivudiane në një set fotografik

30/11/2016 00:00

Mbrëmja gala në Paris, me rastin e publikimit të kalendarit të ri të Pirellit, solli në tapetin e kuq ajkën hollivudiane me emra të tillë si Nicole Kidman, Uma Thurman, Helen Mirren dhe Charlotte Rampling.

Ato janë mes 14 aktoreve të famshme që pozojnë për fotografin gjerman Peter Lindbergh. Të tjera yje që shfaqen në kalendar janë Kate Winslet, Julianne Moore dhe Lupita Nyong’o, e gjithashtu një person i 15 që është Anastasia Ignatova, profesoreshë e Teorisë Politike në Universitetin shtetëror të Moskës.

Kalendari Pirelli është i famshëm për modelet që i lënë pak vend imagjinatës me veshjet e tyre. Por këtë herë, fotografi zgjodhi të mishërojë në të idenë e bukurisë natyrore, duke i përjetësuar aktoret në imazhe të papërpunuara bardhezi.

E pyetur mbi presionin që mund të ndiejnë sot modelet e reja, për të përcjellë imazhin e perfeksionit, Rampling tha:

“Nuk është shumë realiste. Prandaj është diçka e mirë të shohësh gra pa shumë ‘makeup’, që jo domosdoshmërisht janë perfekte, por duken të bukura dhe të natyrshme”.

Ndërkohë për Mirren, të qenit përpara kamerës e zhveshur nga rrobat dhe ‘makeup’-i kishte qenë disi i sikletshme.

“Zakonisht në fotografi jemi mësuar të shfaqemi nën një dritë fantastike, të grimuara nga artistët më të mirë të ‘make up’-it në botë dhe me veshje të mrekullueshme”.

Top Channel