Aksidenti, arrestohet polici. Presion shoferit të pranonte se nuk shikonte

30/11/2016 00:00

Kreu i hetimit të aksidenteve në Vlorë u arrestua nën akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Myslym Ismailaj ushtroi presion ndaj të plagosurit në një aksident të rëndë të ndodhur në Vlorë, që fajësonte veten dhe hiqte dyshimet ndaj firmës që punonte në rrugë.

Ismailaj u fut në dhomën e të dëmtuarit Beja, rreth orës 10:00 të paradites së të martës dhe gjatë marrjes në pyetje i kërkoi atij të deklaronte se kishte patur problem me shikimin si drejtues mjeti dhe nuk e kishte parë tabelën që paralajmëronte punime në rrugë. Ismailaj u përpoq të devijonte hetimet në lidhje me këtë aksident, ai gaboi në rastin kur u kërkoi të gjithë familjarëve të dilnin jashtë dhomës së spitalit.

Këta të fundit sa janë vënë në dijeni të presionit që Ismailaj po bënte, njoftuan drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme si edhe menjëherë bën kallëzimin në SHKB.

Hetimet më pas treguan se vetë Ismailaj i kishte kryer ato veprime të ngritura nga pretendimet e familjareve të të plagosurit si edhe të viktimës. Por ndërsa policia ka gjetur prova të implikimit të Ismailajt, ajo është duke kërkuar nëse shefi i hetimit të aksidenteve ishte i paguar apo jo.

Dyshimet e para qëndrojnë që Ismailaj nuk e kishte thjesht perceptim sugjerimin që i bëri të dëmtuarit për aksidentin, por se është paguar për të bërë presion. Megjithatë, i arrestuari e ka mohuar këtë fakt, ndërsa do të rimerret në pyetje.

Pritet marrja e tabulateve telefonike të Ismailajt, apo marrja në rrugë operative e informacioneve nëse ai është takuar para marrjes në pyetje të të plagosurit me ndonjë të interesuar për devijim të hetimeve.

Ndërkohë që të mërkurën në mëngjes është marrë edhe masa e sigurisë për 21-vjeçarin Petraq Beja. Seanca u krye në ambientet e spitalit për shkak se i arrestuari është ende nën kujdes mjekësor. Për të është vendosur “arrest shtëpie në mbikëqyrje elektronike”.

Petraq Beja nuk e pranoi akuzën dhe u  shpreh para trupit gjykues se ka qenë duke ecur brenda normave të lejuara dhe se nuk e kanë parë në asnjë moment që në atë segment rrugor po kryheshin punime dhe nuk ka patur asnjë sinjalistikë paralajmëruese. Të shumtë kanë qenë edhe familjarët të cilët kanë pritur në ambientet e spitalit vendimin e gjykatës.

Gjyqtari i çështjes, Laurent Fuçia deklaroi pas procesit se, hetimet do zbulojnë të vërtetën. “Do vërtetohet shkencërish nëse nga drejtuesi i mjetit ka kryer shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe nëse po, këto shkelje kanë qenë pasojë e aksidentit, apo pasoja ka ardhur nga mosrespektimi i normave të sigurisë teknike nga shoqëria ndërtuese. Ardhja e këtyre rezultateve nuk përkon me ndonjë afat të saktë, por varet nga dinamika e hetimit”, deklaroi Fuçia.

Të enjten do të vlerësohet masa e sigurisë e punonjësve të firmës së ndërtimit, të arrestuar për shkelje të rregullave teknike në punë.

Top Channel