Turqi, 6 të arrestuar për zjarrin te konvikti i vajzave gjimnaziste

30/11/2016 00:00

Autoritetet turke kanë arrestuar 6 persona gjatë kësaj të mërkure, në lidhje me zjarrin e rënë në konviktin e shkollës së mesme për vajzat, nga ku mbetën 12 persona të vdekur.

Zjarri përfshiu të gjithë godinën trikatëshe në qytetin Aladag të provincës së Adanës, në orët e vona të së martës. Shkak i rënies së tij dyshohet të jetë një defekt elektrik, për pasojë të të cilit humbën jetën 11 gjimnaziste dhe një mësues. 22 të tjerë u plagosën, ndërsa viktimat thuhet të jenë të gjithë shtetase turke.

Kryeprokurori i Adanës, Ali Yeldan i tha agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu” se drejtori i konviktit, 3 mësues dhe dy punonjës të tjerë u vunë nën pranga, fillimisht për t’u marrë në pyetje si pjesë e një hetimi të nisur për “neglizhencë” të mundshme.

Arrestimet erdhën pasi ministrja e Çështjeve Familjare, Fatma Betul Sayan Kaya premtoi një hetim të imtësishëm dhe tha se kushdo që të jetë fajtor për neglizhencë do të ndëshkohet.

Kryebashkiaku i Adanës, Huseyin Sozlu është cituar të ketë thënë se edhe dera e daljes në raste emergjente, në konviktin privat, ishte e mbyllur ose gjimnazistet e përfshira nga paniku nuk mundën ta hapnin atë.

Por, zv.kryeministri Veysi Kaynak tha për reporterët pasi vizitoi Aladagun se, informacionet fillestare të siguruara prej prokurorëve bënin të ditur se dera e emergjencës nuk ishte e mbyllur. Ai tha se autoritetet e kishin inspektuar së fundi konviktin në fjalë në muajin qershor.

Ambasada amerikane publikoi një mesazh ngushëllimi në “Twitter”. “Jemi tejet të pikëlluar nga lajmi i zjarrit tragjik në Adana. U dërgojmë ngushëllimet tona familjarëve të viktimave”. Autoritetet, ndërkohë, vendosën një bllokadë të përkohshme për mediet në mbulimin e kësaj ngjarjeje, duke cituar shqetësimet për rendin publik dhe pengesat e mundshme të hetimit.

Top Channel