Vdekja e Castros, ceremoni përkujtimore në Havana

30/11/2016 00:00

Një tubim masiv në nder të ish-udhëheqësit të ndjerë revolucionar, Fidel Castro, mbushi sheshin e “Revolucionit” në Havana. Ceremonia nisi me himnin kombëtar dhe përfundoi me një homazh nga vëllai i Fidelit, Raul Castro.

Një sërë udhëheqësish botërorë morën pjesë në aktivitet, por disa vende zgjodhën të dërgonin zyrtarë të nivelit më të ulët. Fidel Castro, i cili erdhi në pushtet në vitin 1959, u nda nga jeta të premten në moshën 90-vjeçare.

Hiri i tij do të dërgohet tani në Santiago, atje ku edhe nisi revolucioni kuban. Opinionet mbi Castron, që udhëhoqi Kubën si një shtet njëpartiak për gati një gjysmëshekulli, mbeten të ndara.

Mbështetësit thonë se ai ia riktheu vendin popullit dhe e vlerësojnë atë për programet e tij sociale, të tilla si shëndetësia dhe arsimi. Por për kritikët, ai është një diktator, i cili udhëhoqi një qeveri që nuk toleronte opozitën dhe disidencën.

Pikërisht për këtë arsye, vende të tilla si SHBA-të nuk dërguan zyrtarë të nivelit të lartë, në ndryshim nga aleatët e Kubës, të tillë si vendet e Amerikës Latine, Ekuadori, Bolivia, Venezuela e Panamaja, që u përfaqësuan me presidentët në sheshin e “Revolucionit”.

Turma e njerëzve e mbledhur atje thërriti “Jetë të gjatë revolucionit” dhe “Fidel, Fidel”.

Presidenti Raul Castro mbylli tubimin, duke iu referuar vëllait të tij si udhëheqësi i revolucionit për të përulurit. Mes atyre që mbajtën një fjalim ishte edhe kryeministri grek, Alexis Tsipras. Më herët, presidentët e Bolivisë e të Venezuelës, Evo Morales dhe Nicolas Maduro, ishin mes atyre që firmosën librin e ngushëllimeve në memorialin “Jose Marti”.

Top Channel