Romney, pretendent për postin e kryediplomatit pas darkës me “djallin”

30/11/2016 00:00

Republikani Mitt Romney nuk po ia kursen mbështetjen presidentit të zgjedhur Donald Trump. Dikur kritik i ashpër i manjatit të pasurive të paluajtshme, e tani një prej emrave që përflitet për postin e Sekretarit të Shtetit, ish-guvernatori i Massachussets e vlerësoi Trumpin për atë që e quajti mesazhi i gjithëpërfshirjes, duke bashkuar njerëzit që prej fitores së 8 nëntorit.

Duke iu referuar emërimeve të bëra nga presidenti i zgjedhur në postet kyçe të kabinetit dhe dëshirës së tij për unitet më të madh mes amerikanëve, ish-kandidati presidencial i zgjedhjeve të vitit 2012 tha se, këto gjëra të ndërthurura së bashku i shtonin shpresën se Trump është njeriu i duhur për të udhëhequr vendin drejt një të ardhmeje më të mirë.

Këto komente, Romney i bëri pas një darke të gjatë me Trumpin dhe kreun e Komisonit kombëtar republikan, Reince Priebus, në një restorant francez në hotelin e Trumpit në Mannhatan.

“Kalova një mbrëmje të mrekullueshme me presidentin e zgjedhur. Diskutuam edhe një tjetër herë mbi çështjet që shqetësojnë botën. Ai bëri diçka që unë nuk munda. Fitoi zgjedhjet dhe vazhdon të përcjellë mesazhin e gjithëpërfshirjes duke bashkuar njerëzit. Ata që ka zgjedhur në postet kyçe janë vërtet persona shumë të aftë”, tha Romney.

Që kur Trumpi filloi të konsideronte seriozisht Romneyn për postin e Sekretarit të Shtetit, disa prej pjesëtarëve të ekipit të tij kanë ngritur shqetësimet për emërimin e një kritiku të ashpër dhe kanë lobuar për kandidatin e tyre të preferuar, ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut dhe besniku i Trumpit, Rudi Giuliani.

Në krye të këtij grupi është këshilltarja e lartë e republikanit, Kellyanne Conëay, e cila tha gjatë një interviste se mbështetësit e Trumpit do të ndiheshin të tradhtuar, nëse ai do të zgjidhte Romneyn. E megjithatë, presidenti i zgjedhur vazhdon ta konsiderojë atë për postin dhe një burim republikan i afërt me ekipin e tranzicionit tha se, Priebus po lobon pro Romneyt në prapaskenë.

Top Channel