Solidariteti ndaj Chapecoense, futbollistë falas dhe jo rënie nga kategoria

30/11/2016 00:00

Jo vetëm kërkesa për t’i akorduar Kupën e Amerikës Latine skuadrës së Chapekoenses si solidaritet për tragjedinë ajrore që goditi ekipin e futbollit brazilian, por gjithashtu ndihma ekopnomike dhe sportive. Pas aksidentit që provokoi 76 viktima dhe që tronditi botën e futbollit, sprinti për solidaritet nuk është ndalur, nga Amerika e Jugut në të gjithë globin.

Ekipet e futbollit brazilian, përmes një nisme të Gremios, të mbështetur nga të gjithë, kanë kërkuar të zbresin në skenë me fakte për të ndihmuar ekipin e prekur nga drama njerëzore, e tani edhe sportive. Në fokus do të jenë futbollistët e dhënë falas dhe vendimi për të mos e zbritur ekipin nga Seria A braziliane për të paktën 3 vjet.
 
“Duke qenë se Chapecoense po vuan dëme të pariparueshme nga kjo ngjarje e tmerrshme, të gjithë klubet e kuptojnë që ky është një moment uniteti dhe veprojnë konkretisht”, thuhet në një njoftim të Palmeirasit, Santosit, Sao Paulos e shumë ekipeve të tjera.
 
Chapecoenses së goditur nga tragjedia do t’i japë secili ekip një apo dy futbollistë të huazuar falas për vitin 2017, duke qenë se në Brazil kampionati luhet në një vit solar. Gjithashtu, ekipi në fjalë nuk do të detyrohet të zbresë nga kategoria për 3 vjet, pavarësisht rezultateve.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Palmeirasi që festoi titullin e nëntë në histori pikërisht me fitoren ndaj Chapecoense, do të veshë në ndeshjen e fundit fanelën e klubit të pafat, si homazh për viktimat e aksidentit ajror.

Top Channel