Chernobili “varroset” në sarkofag. Parandalohen rrjedhjet radioaktive

29/11/2016 00:00

Reaktori numër 4 në Chernobil, skenë e aksidentit më famëkeq në histori të ndodhur në vitin 1986, është mbuluar së fundi me një strukturë hermetike çeliku të krijuar posaçërisht për të mos lejuar rrjedhjet radioaktive, pas vitesh të tëra pune në kushte jo të sigurta.

Struktura në fjalë mbulon reaktorin dhe sarkofagun e paqëndrueshëm, e cila u ndërtua me nxitim të madh nga autoritetet sovjetike, menjëherë pas fatkeqësisë së ndodhur 30 vite më parë. Mbulesa e çeliktë thuhet se është struktura më e madhe e lëvizshme e ndërtuar ndonjëherë mbi tokë. Për ndërtimin e saj u deshën vite të tëra pune, si dhe një kosto prej mbi 1.5 miliardë eurosh.

Harku i madh prej çeliku është zhvendosur deri në vendin e duhur përgjatë javëve të fundit, ndërkohë që përfundimi i kësaj procedure është përuruar me një ceremoni të posaçme gjatë kësaj të marte, me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas Petro Poroshenko, diplomatëve të tjerë dhe punonjësve të impiantit.

Poroshenko iu thuri lavde punonjësve të Chernobilit, të cilët ndërtuan sarkofagun fillestar pavarësisht rrezikut të madh të radioaktivitetit në vendngjarjen e tragjedisë më të madhe bërthamore.

“Kjo strukturë parashikohej të zgjaste për 30 vite, për të mbrojtur Kievin, Ukrainën dhe të gjithë botën nga kontaminimi bërthamor. 30 vite pas fatkeqësisë, ne jemi të pranishëm këtu, vetëm 100 metra larg reaktorit numër 4, nga ku mund të themi se kjo krijesë e re historike tashmë ka përfunduar”, tha ai.

Shpërthimi i fuqishëm në reaktorin numër 4 të Chernobilit ndodhi gjatë mesnatës së 26 prillit 1986, ndërsa lajmi i fatkeqësisë u mbulua fillimisht nga autoritetet sovjetike. Rreth 50 persona humbën jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e aksidentit, por shifrat e autoriteteve të shëndetësisë tregojnë se rreth 4.000 njerëz të tjerë vdiqën përpara kohe për shkak të ekspozimit ndaj lëndëve radioaktive. Me mijëra të tjerë vuajnë ende efektet shëndetësore të shkaktuara prej tij, ndërsa një perimetër prej 32 km përreth zonës u kufizua për lëvizjen e lirë.

Suma Chakrabarti, president i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që koordinoi projektin e ndërtimit, tha se “strehëza e vjetër është zhdukur tashmë nga sytë tanë, por ne nuk do t’i harrojmë kurrë viktimat e aksidentit të vitit 1986, ndaj dhe ua kemi borxh kujtimet tona për ta”.

Vince Novak, drejtor i BERZH-it për sigurinë bërthamore, tha se mburoja e çeliktë eliminon një sërë rreziqesh dhe frikash që mbeteshin ende që prej aksidentit, përfshi këtu një kolaps të sarkofagut apo një shpërthim të ri bërthamor brenda strukturës, duke ditur sasinë prej disa tonelatash të uraniumit të pranishme në vendngjarje. Ekzistonte gjithashtu rreziku i rrjedhjes së lëndëve radioaktive të lëngshme jashtë reaktorit dhe përfundimi i tyre nëpër ujërat përreth zonës, që shfrytëzoheshin edhe për furnizim me ujë të pijshëm apo për vaditje, sepse sarkofagu nuk ishte i papërshkueshëm nga uji.

“Ky është projekti i parë i këtij lloji dhe shpresoj të jetë i fundit i tillë”, tha Novak.

Struktura e çeliktë është 162 metra e gjatë dhe 108 metra e lartë. Metali i përdorur për ndërtimin e tji peshonte 3.5 herë më shumë sesa Kulla “Eiffel”. Ndërtimi ka qenë i komplikuar për shkak të niveleve të larta të radioaktivitetit pranë reaktorit, duke nënkuptuar se në vend që punëtorët të punonin me orare të zgjatura për këtë strukturë, ajo u ngrit pak metra më larg dhe më pas u zhvendos në vendin e duhur.

Përpara këtij procesi, dhjetëra mijëra tonë dhera radioaktivë u spastruan nga zona e ndërtimit, për t’u zëvendësuar me dhera të pastër. Shumica e makinerive dhe pajisjeve inxhinierike të përdorura për të u projektuan dhe ndërtuan nga e para, përfshi veshjen e veçantë dhe sistemin e një vinçi gjigant.

Gjatë vitit të ardhshëm, puna do të vijojë brenda strukturës për ta bërë atë hermetike dhe për të çmontuar pjesët e brendshme të sarkofagut. Kur të përfundojë totalisht, në nëntor 2017, struktura përfundimtare do të japë siguri se Chernobili do të jetë hermetik për 100 vitet e ardhshme. Njerëzve u është ndaluar të jetojnë në zonën përreth Chernobilit, ndërsa aksesi në të është i lejueshëm vetëm me leje speciale.

Top Channel