Chapecoense, përralla e “hirushes” që përfundoi në tragjedi

29/11/2016 00:00

Ngritja e pabesueshme e ekipit brazilian të futbollit Chapecoense pati një fund tragjik, pas aksidentit ajror në Kolumbi që i kushtoi jetën pjesës më të madhe të skuadrës.

Raportet e autoriteteve kolumbiane flasin për vetëm 3 lojtarë të mbijetuar nga aksidenti në afërsi të qytetit Medelin. Në avion, mes 72 pasagjerëve gjendeshin lojtarë, anëtarë të stafit dhe gazetarë.

Autoritete kolumbiane konfirmuan se mbrojtësi Alan Ruschel dhe portieri i dytë Jackson Follman kanë mbijetuar, ndërsa raportohet se edhe një mbrojtës tjetër, Heilio Nieto ka mundur të shpëtojë.

Gjithashtu mësohet se Danilo, portieri i parë i ekipit, u nxor i gjallë nga avioni, por ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra.

Ekipi i Chapecoenses po fluturonte drejt qytetit Medelin për t’u përballur të mërkurën me skuadrën Atletico Nacional në ndeshjen e parë të finales së Kupës së Amerikës Latine, kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në këtë kontinent, i barazvlefshëm me Europa League.

Në vitin 2009, Chapecoense luante në kategorinë e katërt të Brazilit, por në vitin 2014 u ngjit në kategorinë e parë dhe me sukseset e njëpasnjëshme u cilësua si mishërimi i historisë së “hirushes” në futboll, një përrallë fatkeqësisht me një fund tragjik.

Solidariteti i botës së futbollit ishte i madh, duke nisur me rivalët kolumbianë të Atletico Nacional, të cilët kërkuan që titulli t’i jepet ekipit të pafat brazilian. Ndërkohë, shumë ekipe në Brazil thanë se do t’i ofrojnë lojtarë Chapecoenses në mënyrë që klubi t’i mbijetojë kësaj tragjedie.

Top Channel