Tragjeditë në sport, nga Torino 1949 te Chapecoense

29/11/2016 00:00

Aksidenti ajror që thuajse shfarosi skuadrën e Chapecoense për fat të keq nuk është tragjedia e vetme ajrore që trondit botën e sportit. Ka patur në harkun e viteve të kaluara incidente gjithashtu të rënda duke nisur nga 4 Maj 1949.

Asokohe avioni që transportonte skuadrën e Torinos u rrëzua mbi Bazilikën e Superga, në një ngjarje e cila u favorizua nga mjegulla dhe koha e keqe. Vdiq e gjithë skuadra e futbollit, që ishte një nga më të fortat në botë.

Në 27 tetor, të po atij viti, boksieri francez Marcel Cerdan vdiq së bashku me 47 persona të tjerë që ishin në bordin e një avioni që fluturonte mbi ishujt Azore. Cerdan, në atë kohë një yll i jetës publike i martuar me këngëtaren Edith Piaf, ishte duke fluturuar për t’u ndeshur për titullin kampion bote me Jack Lamotta.

Në 6 Shkurt 1958 u regjistrua një ditë e zezë për futbollin. Në kthim pas një ndeshjeje në Mynih, avioni me skuadrën e Manchester United kampion të Anglisë u ndal në Beograd, por bora e madhe bëri mjetin të përplaset me pistën. Vdesin 24 pasagjerë mes të cilëve 8 futbollistë. Shpëtoi trajneri Matt Busby dhe futbollisti Bobby Charlton, i cili gjatë karrierës së tij do të bëhej legjendë e United dhe Anglisë.

Në 28 janar 1966, tragjedia përfshiu kombëtaren italiane të notit në një transfertë në Bremen, për një aktivitet ndërkombëtar. Ende nuk janë të qarta rrethanat përse u rrëzua “Convair CV-440”, avioni i “Lutfhansa”, që u nis nga Frankfurti për në Bremen. Askush mes 46 pjesëtarëve të delegacionit nuk mbijetojë. Lista përfshiu edhe 7 notarë dhe trajnerin e tyre.

Në 29 nëntor 1975, gjatë kthimit nga pista franceze “Paul Ricard” humbi jetën kampioni i automobilizmit Graham Hill. Avioni i tij privat “Piper Atzec” u rrëzua në një fushë golfi në Arkley, në veri të Londrës. Bashkë me të u ndanë nga jeta edhe katër mekanikë të skuadrës dhe piloti rezervë, shumë premtues për të ardhmen, britaniku Tony Brise. Djali i tij, Damon Hill ishte 15 vjeç, më vonë edhe ai do të bëhej kampion bote si i ati.

Në 27 prill 1993, për shkak të një zjarri u rrëzua avioni “DHC-5 Buffalo” me në bord skuadrën kombëtare të futbollit të Zambias, e drejtuar për në Dakar ku do të luante një ndeshje kundër Senegalit, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 1994. Askush nuk mbijetoi. Trupat e viktimave u varrosën te varrezat e dëshmorëve në vendin afrikan, shumë pranë stadiumit.

Në 10 mars 2015, 3 kampionë francezë të sportit humbin jetën në përplasjen e dy helikopterëve në Argjentinë, gjatë xhirimeve të një reality show. Notarja Kamil Mufat, Florens Arto; dhe boksierin Aleksis Vastin ishin mes viktimave.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel