Arrestohet për sajimin e “pengmarrjes” së tij

29/11/2016 00:00

Policia e Nju Jorkut ka arrestuar, e më pas lënë të lirë, Lapo Elkann, duke e akuzuar këtë të fundit se kishte mashtruar në lidhje me “pengmarrjen” e tij.

Nipi i Gianni Agnellit kishte mbërritur në Nju Jork të enjten e 24 nëntorit, ditën e Falenderimeve, për të kaluar dy net të shthurura nën shoqërinë e një prostitute transgjinore, mes alkoolit, kokainës dhe marijuanës.

I njohur edhe si sipërmarrës mode, 39-vjeçari Elkann kishte kontaktuar eskortën me të mbërritur në qytet. Më pas kishte shkuar në apartamentin ku banonte në periferi të Manhattanit, duke ndezur kështu “dritën jeshile” për një festë të gjatë. Por në një moment duket se i përfunduan paratë për të siguruar sasi të tjera droge. Lapo i kishte kërkuar në këtë moment shoqërueses 29-vjeçare të parapaguante, duke i premtuar se do ta rimbursonte sa më shpejt të mundej.

Pas kësaj, Elkann ka sajuar atë që duhej të shfaqej si një plan i shkëlqyer: ka kontaktuar dikë nga familja e tij, duke i thënë se gjendej nën mëshirën e një gruaje që donte t’i bënte keq. Madje i kërkoi atij 10 mijë dollarë për të bërë të mundur daljen nga kjo situatë “pengmarrjeje”.

Me të marrë këtë sinjal, familja e Elkann vihet në lëvizje. Një përfaqësues i tyre shfaqet menjëherë në rajonin e policisë së Nju Jorkut me 10 mijë dollarë “cash”, me supozimin për t’ia dhënë agresores së Lapos. Ende nuk është bërë e ditur se në ç’gjendje ka qenë nipi homoseksual i Agnellit, por ajo që dihet me siguri tashmë është se mëngjesin e së dielës më 26 nëntor, hetuesit ishin përpjekur të ofronin paratë te “pengmarrësi”, duke nxjerrë kështu blof sipërmarrësin italian.

Shoqëruesja e tij u la e lirë pa asnjë akuzë të ngritur ndaj saj, ndërsa për Lapo Elkann, agjentët e policisë i kanë kërkuar që të paraqitet përpara gjykatës.

Çështja gjyqësore duket se mund të bëhet serioze. Dënimi që mund t’i jepet atij është më së shumti një vit burgim, por gjërat mund të zgjidhen edhe me një pagesë gjobe.

Top Channel