Vlorë, hetim për aksidentin. Prokuroria do verifikojë masat e sigurisë

29/11/2016 00:00

Prokuroria e Vlorës do t’i kërkojë gjykatës të vendosë masën “arrest me burg” për tre persona të arrestuar pas aksidentit në aksin Ujë i Ftohtë-Skelë, në të cilin humbi jetën 18-vjeçari Kristo Panajoti dhe u plagos drejtuesi i mjetit.

Nga njëra anë prokuroria dyshon se dy inxhinierët e firmës, Tomorr Cena dhe Ilirian Tahmazi kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë duke qenë se gjatë punimeve të firmes “Xh@m”, e nënkontraktuar nga një firmë greke, nuk kishin vendosur tabela paralajmëruese për përdoruesit e rrugës.

Të pyetur nga prokurorja e çështjes, përgjegjësi i sigurimit teknik dhe inxhinieri zbatues i projektit kanë deklaruar se në këtë aks kishte tabela.

Por kjo dëshmi shihet si e dyshimtë nga akuza përsa kohë nga verifikimi në vendngjarje është konstatuar se tabelat janë vendosur një ditë pas aksidentit tragjik.

Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar ekspertët të inspektojnë sërish jo vetëm vendngjarjen, por të gjithë aksin ku kryhen punimet e Lungomares, për të konfirmuar nëse është i siguruar ky perimetër jo vetëm për automjetet që qarkullojnë aty, por edhe për kalimtarët.

Në funksion të hetimeve, prokuroria ka edhe dëshminë e shoferit Petraq Beja, i cili po kurohet në spital nën arrest për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Beja insiston se shkak i aksidentit është bërë një gropë në mes të rrugës për praninë e së cilës nuk ishte paralajërmuar me tabela.

Por, siç edhe ai e ka pranuar, edhe sipas prokurorisë mjeti që ai po drejtonte ishte me shpejtësi tej normave të lejuara në një aks në punim e sipër.

Top Channel