Takimi i Vishegradit: Datë për negociatat me Shqipërinë

29/11/2016 00:00

Vendet e Vishegradit mbështesin integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mori pjesë në konferencën vjetore të vendeve të Vishegradit, ku përfshihen Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia dhe ato të Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Varshavë.

Në takim ishte e pranishme dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini.

Në mënyrë më specifike për vendin tonë, vendet e grupit të Vishegradit mirëpritën rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe shprehën mbështetjen për caktimin sa më shpejt të një date për fillimin zyrtar të tyre. Ata vlerësuan progresin e Shqipërisë, sidomos për reformën e sistemit të drejtësisë dhe kërkuan që ky progres të reflektohet qartë në konkluzionet e Këshillit të BE-së në dhjetor.

Duke u ndalur në rrugëtimin europian të Shqipërisë në BE, Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e vendeve të Vishegradit dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

Ministri Bushati nënvizoi se “procesi i zgjerimit të BE është një proces teknik që ka të bëjë me përmbushje kushtesh specifike, por ai duhet të ketë dhe një frymë politike, e cila po i mungon. Kjo frymë politike është e domosdoshme në këtë periudhë sfidash sigurie, si për BE ashtu edhe për rajonin”.

Top Channel